Një tjetër valë sulmesh ushtarake është regjistruar herët këtë të mërkurë në Lindjen e Mesme. Bahreini njoftoi se kishte zmbrapsur sulmet ajrore iraniane, ndërsa Kuvajti aktivizoi sistemet e mbrojtjes ajrore për të neutralizuar dronët armiqësorë.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara kryen një sulm të ri ajror në ishullin iranian Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, duke shënjestruar një objekt të lëshimit të raketave. Sipas një zyrtari ushtarak amerikan, sulmi ishte kundërpërgjigje ndaj goditjeve iraniane kundër personelit dhe instalimeve ushtarake amerikane në rajon. Forcat e armatosura të Bahreinit njoftuan në orët e para të së mërkurës se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin neutralizuar disa sulme që ia atribuuan Iranit.
Në një deklaratë të transmetuar nga agjencia zyrtare e lajmeve BNA, Shtabi i Përgjithshëm bëri të ditur se mbrojtja ajrore kishte arritur të zmbrapste sulmet, pa dhënë detaje mbi numrin e objektivave apo zonat e shënjestruara. Bahreini konsiderohet një pikë strategjike në rajon, pasi në territorin e tij ndodhet edhe Flota e Pestë e Marinës Amerikane.
Situatë alarmi u regjistrua edhe në Kuvajt, ku forcat e armatosura njoftuan për aktivizimin e sistemeve kundërajrore për t’iu përgjigjur sulmeve me mjete fluturuese pa pilot. Përmes një njoftimi në platformën X, Shtabi i Përgjithshëm sqaroi se shpërthimet e dëgjuara nga banorët ishin shkaktuar nga përgjimi i objektivave armike prej sistemeve të mbrojtjes ajrore. Autoritetet nuk dhanë fillimisht informacion mbi origjinën e dronëve, dëmet e mundshme apo viktimat.
SHBA godet objektin e lëshimit të raketave në ishullin Qeshm
Ndërkohë, ushtria amerikane kreu një tjetër sulm ajror në ishullin iranian Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit. Një zyrtar ushtarak amerikan, duke folur për Reuters në kushte anonimiteti, konfirmoi se një avion luftarak kishte goditur një objekt të përdorur për lëshimin e raketave. Sipas tij, operacioni ishte ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane kundër forcave dhe instalimeve amerikane në rajon.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane e lajmeve Mehr raportoi se sulmi nuk kishte shkaktuar dëme në zonat e banuara apo në infrastrukturën e ishullit. Zhvillimet e fundit tregojnë vijimin e shkëmbimit të goditjeve mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, ndërsa përplasjet po përfshijnë gjithnjë e më shumë edhe vende të tjera të Gjirit Persik.