Dhjetëra mijëra vetë po vazhdojnë protestat kundër regjimit në qytetet më të mëdha të Iranit. Videot e shpërndara gjerësisht në mediat sociale tregojnë masa njerëzish në sheshet qendrore. Fillimisht, regjistrimet nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Që nga fillimi i protestave, të paktën 51 demonstrues, përfshirë nëntë të mitur, janë vrarë, sipas shifrave të fundit nga organizata Iran Human Rights (IHR) me seli në Norvegji. Autoritetet dhe mediat iraniane deri më tani kanë raportuar 21 vdekje, përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë.
Për shkak të ndërprerjes së internetit në mbarë vendin në Iran, vetëm disa regjistrime arritën të shpërndaheshin. Popullsia është shkëputur nga pjesa tjetër e botës për më shumë se 24 orë. Një video e publikuar nga aktivistët tregon turma njerëzish në lagjen Saadat Abad, në veri-perëndim të Teheranit. Një zë në sfond thotë, se një xhamie i është vënë flaka.
Pamjet tregojnë zjarre dhe skena kaotike në rrugë. “Vdekje diktatorit!” thërret turma në një pjesë tjetër të videos. Protestat nisën për shkak të devalvimit të monedhës, por ndërkohë intensiteti i tyre dhe thirrjet e demonstruesve dëshmojnë se kërkohet ndryshimi i regjimit.
Forcat e sigurisë me automatikë
Studentët në Teheran raportuan për një situatë të tensionuar sigurie. Forca speciale sigurie të armatosura me armë Kalashnikov ishin vendosur çdo dhjetë metra përgjatë një rruge kryesore, sipas buletinit studentor “Amirkabir”. Kishte shqetësim të madh për një përshkallëzim të dhunës.
Ndërkohë, kryebashkiaku i Teheranit, Alireza Sakani, raportoi për shkallën e trazirave të një nate më parë (09.01.2026). Sipas tij, më shumë se 50 banka dhe disa ndërtesa qeveritare u dogjën. “Më shumë se 30 xhami u dogjën”, tha ai në një video të shpërndarë nga agjencia e lajmeve Mehr.
Trump kërcënon sërish udhëheqjen e Iranit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar përsëri me ndërhyrjeushtarake në Iran për shkak të protestave. “Irani është në telashe të mëdha”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë të premten (09.01.2026).
Mesazhi i tij drejtuar udhëheqjes në Teheran është: “Më mirë të mos filloni të qëlloni, sepse atëherë do të fillojmë të qëllojmë edhe ne.”
“Nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, ne do të ndërhyjmë”, shtoi presidenti i SHBA-së. Kjo nuk do të thotë dërgim trupash tokësore në Iran, “por goditje ndaj tyre aty ku dhemb, shumë, shumë fort”.
Berlini, Parisi dhe Londra thirrje për përmbajtje Teheranit
Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe i kanë bërë thirrje urgjente udhëheqjes iraniane që të përmbahet nga dhuna në sfondin e protestave masive.
“Jemi thellësisht të shqetësuar nga njoftimet për dhunë ushtruar nga forcat iraniane të sigurisë dhe dënojmë ashpër vrasjen e demonstruesve”, thuhet në një deklaratë të përbashkët nga kancelari gjerman Friedrich Merz, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer.
Autoritetet iraniane janë përgjegjëse për mbrojtjen e popullsisë së tyre; ato duhet të lejojnë lirinë e shprehjes dhe tubimet paqësore pa frikën e hakmarrjes.
“Ne u bëjmë thirrje fuqimisht autoriteteve iraniane të ushtrojnë përmbajtje, të përmbahen nga dhuna dhe të respektojnë të drejtat themelore të qytetarëve iranianë”, thuhet në deklaratë./DW