Sot përfundon afati 60-ditor që detyron presidentin amerikan Donald Trump të marrë miratimin e Kongresit për vijimin e operacioneve ushtarake ndaj Iranit. Megjithatë, Shtëpia e Bardhë ka lënë të kuptohet se nuk ka ndërmend ta respektojë këtë kërkesë ligjore.
Sipas Kushtetutës së SHBA-së, vetëm Kongresi ka të drejtën të shpallë luftë. Një ligj i vitit 1973 i lejon presidentit të ndërmarrë veprime ushtarake emergjente, por e detyron që brenda 60 ditësh të kërkojë miratim, t’i ndërpresë operacionet ose të kërkojë një shtyrje 30-ditore. Në rastin konkret, operacionet ndaj Iranit nisën më 28 shkurt dhe afati filloi dy ditë më pas, kur u njoftua Kongresi.
Administrata Trump argumenton se armëpushimi i arritur më 8 prill e ka “pezulluar” këtë afat. Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth deklaroi në Senat se përplasjet kanë ndalur dhe se nuk ka pasur incidente që prej 7 prillit. Por demokratët e kundërshtojnë këtë interpretim. Kreu i tyre në Senat, Chuck Schumer, theksoi se ligji nuk mund të anashkalohet me këtë logjikë, duke paralajmëruar se rreziku për trupat amerikane mbetet dhe afati nuk “ndalet me komandë”.