Brooklyn Beckham nuk ka asnjë pendesë për deklaratat publike që bëri ndaj prindërve të tij, Victoria dhe David Beckham, duke i akuzuar se kanë ndërhyrë prej vitesh në marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nicola Peltz Beckham.
Një burim për PEOPLE thotë se 26-vjeçari është i vendosur në qëndrimin e tij dhe ndihet i mbështetur plotësisht nga Nicola dhe familja e saj. “Brooklyn qëndron fort pas bindjeve të tij. Ai mendon se ka të drejtë të flasë,” shprehet burimi.
Deklaratat vijnë pak ditë pasi Brooklyn publikoi disa mesazhe të gjata në Instagram Stories, ku akuzoi prindërit se kanë tentuar të krijojnë përçarje mes tij dhe bashkëshortes së tij, duke pretenduar se “Beckham” vendoset mbi gjithçka tjetër.
Ai e përshkroi imazhin e familjes së përsosur Beckham si një fasadë dhe pretendoi se Nicola është trajtuar vazhdimisht me mungesë respekti nga familja e tij.
Brooklyn dhe Nicola, 31 vjeçe, u martuan në prill të vitit 2022 në rezidencën e familjes Peltz në Florida, në një ceremoni madhështore me rreth 600 të ftuar. Sipas Brooklyn, një natë para dasmës, disa anëtarë të familjes së tij i thanë se Nicola “nuk ishte gjaku i tyre” dhe “nuk ishte familje”.
Ai akuzoi gjithashtu nënën e tij, Victoria Beckham, se “rrëmbeu vallëzimin e parë” të çiftit gjatë dasmës, duke e lënë Nicolën të përlotur dhe duke e bërë atë të ndihej i poshtëruar publikisht.
Mes akuzave të tjera, Brooklyn pretendoi se Victoria anuloi në moment të fundit realizimin e fustanit të nusërisë për Nicolën, ndonëse ajo kishte qenë shumë e emocionuar për ta veshur.
Në fund të postimit të tij, Brooklyn shkroi se nuk ka dëshirë të pajtohet me familjen dhe se për herë të parë në jetën e tij po mbron veten.