Penalltia e parë pas 31 javësh, Domgjoni e humb: Partizani disfatë dramatike në derbi

Dinamo ka siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Partizanit, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0 në derbin e javës së 31-të të Kategorisë Superiore. Ndeshja, e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, u vendos nga një gol i Baton Zabërgjës në minutën e 59′, pas një gabimi të portierit Pano Qirko, i cili i dha mundësinë sulmuesit dinamovit të shënonte. Partizani humbi edhe penalltinë e parë të sezonit, të fituar në javën e 31 të kampionatit.

Partizani pati mundësinë të shpëtonte një pikë në minutën e 95′, kur u akordua një penallti në favor të tij pas një faulli ndaj Bintsouka. Megjithatë, Domgjoni nuk arriti të shndërronte në gol këtë rast të artë, duke i lënë të kuqtë të dalin duarbosh nga sfida. Arbër Abilaliaj, tekniku i të kuqve, ka sqaruar edhe përse penalltia u godit nga Domgjoni: “Të them të drejtën edhe pse nuk marrim penallti, godasim në stërvitje. Pas kaq shumë kohësh marrim një penallti në favor, gjuajtësit janë të parapërcaktuar. Kur nuk është Taipi, gjuan Mehmeti, kur s’është Mehmeti, e bën Domgjoni. Nuk është se Bintsouka shquhet për penallti. Dëshira është një gjë, por aftësia diçka tjetër”.

Dinamo “sheh” Europën
Me këtë rezultat, Dinamo barazon në pikë me Egnatian në krye të tabelës, duke e çuar kuotën në 54 pikë. Nga ana tjetër, Partizani rrezikon seriozisht pozitën e katërt, pasi me 44 pikë ka vetëm një diferencë prej katër pikësh nga Elbasani, i cili po ndjek nga pas me synimin për t’u futur në zonën e Final 4. Ilir Daja në eufori pas ndeshjes, është zbilancuar në lidhje me përmbushjen e misionit të madh të Dinamos: “Ne e përgatisim ndeshjen edhe në raport me kundërshtarin edhe në raport me kontigjentin që kemi ne dispozicion. Por ajo që rezultoi sot ishte që vazhdimësia që patëm në lojë, jo vetëm që morëm 3 pikët, me 99.9%, pas shumë vitesh Dinamo është prezente në Europë”.

Humbja e këtij derbi e vështirëson më tej situatën për skuadrën e Arbër Abilaliajn, e cila do të duhet të luftojë fort në javët e mbetura për të ruajtur pozitat e saj në renditje dhe për të siguruar një vend në fazën finale të kampionatit.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top