Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike, i mbledhur këtë të shtunë, miratoi një rezolutë ku vlerëson se Shqipëria ndodhet në një situatë të rëndë politike, ekonomike dhe sociale. Demokratët akuzojnë qeverinë e kryeministrit Edi Rama për përqendrim të pushtetit në pak duar, kapje të institucioneve dhe zhvillim të zgjedhjeve që, sipas tyre, nuk përmbushin standardet demokratike.
Në dokumentin e miratuar, PD shpreh shqetësimin për emigracionin e lartë, rritjen e kostos së jetesës, korrupsionin e ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi dhe institucione. Sipas rezolutës, vendi po përballet me shpopullim dhe mungesë perspektive për të rinjtë, ndërsa ekonomia favorizon grupe të lidhura me pushtetin përmes kontratave publike dhe partneriteteve publike-private (ppp).
Demokratët theksojnë se mbështesin plotësisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, por kërkojnë që procesi të bazohet në përmbushjen e standardeve të drejtësisë, shtetit ligjor dhe demokracisë. Në rezolutë vlerësohet puna e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit dhe mbështetja e partnerëve europianë për zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend.
Në përfundim, Partia Demokratike deklaron se do të vijojë angazhimin politik në mbrojtje të qytetarëve, transparencës dhe institucioneve demokratike, ndërsa u bën thirrje forcave opozitare dhe faktorëve shoqërorë të bashkohen në një front të përbashkët kundër qeverisë, me synimin për të sjellë ndryshim politik dhe për të afruar Shqipërinë me standardet europiane.