Koalicioni PD-ASHM ka depozituar sot (1 shtator 2025) një kërkesë-padi pranë Kolegjit Zgjedhor, duke kundërshtuar vendimin nr. 34, datë 28.08.2025 të Komisionit Rregullator të KQZ-së, i cili lidhet me shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025.
Në padi, e cila mban firmën e përfaqësuesit ligjor Franci Nuri, PD-ASHM kërkon rrëzimin e vendimit të KQZ-së dhe mosnjohjen e rezultatit zgjedhor, me argumentin se procesi është shoqëruar nga shkelje të rënda ligjore dhe problematika që e bëjnë atë “jo të lirë dhe jo të ndershëm”.
Akuza për manipulime dhe presione
Në dokumentin e paraqitur, opozita rendit një sërë shkeljesh që, sipas saj, u evidentuan gjatë procesit:
-përdorimi i burimeve publike në fushatë,
-intimidimi i votuesve,
-patronazhistët,
-shpërdorimi i administratës publike,
-fenomeni i blerjes së votës dhe ndikimi i grupeve kriminale.
Në mënyrë të veçantë, PD-ASHM nënvizon se në qarkun Tiranë problematikat kanë qenë më të theksuara, për shkak të përqendrimit të popullsisë dhe administratës, por se fenomene të ngjashme janë konstatuar edhe në qarqe të tjera si Durrës, Shkodër, Elbasan, Vlorë, Fier, Korçë e Dibër.
“Zgjedhjet e 11 majit nuk kanë përmbushur standardet kushtetuese dhe ligjore për të qenë të lira, të ndershme dhe të barabarta”, thuhet në konkluzionet e padisë, ku theksohet gjithashtu se reagimi i institucioneve përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe organet e rendit, ka qenë “i vakët dhe jo proporcional me seriozitetin e problematikave të konstatuara”.
PD-ASHM i kërkon Kolegjit Zgjedhor ndryshimin e vendimit nr. 34, datë 28.08.2025 të KQZ-së, duke e konsideruar të pavlefshëm shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare.