PD kërkon debat parlamentar për progresraportin e BE-së, sot mblidhet Konferenca e Kryetarëve

Gjetjet e Komisionit Europian për funksionimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe procesin zgjedhor në Shqipëri pritet të bëhen objekt diskutimi në Kuvend, pas kërkesës së Partisë Demokratike për zhvillimin e një mocioni me debat. Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet sot, në orën 08:30, për të shqyrtuar kërkesën e opozitës, e cila mbështetet në problematikat e evidentuara në progresraportin e publikuar më 4 nëntor 2026.

Në shkresën drejtuar Kuvendit, PD rendit ndër shqetësimet kryesore polarizimin e thellë politik, mbikëqyrjen e dobët parlamentare ndaj qeverisë, refuzimin sistematik të kërkesave për ngritjen e komisioneve hetimore dhe moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vëmendje i kushtohet edhe cilësisë së procesit ligjvënës, veçanërisht paraqitjes së projektligjeve në momentet e fundit dhe anashkalimit të konsultimeve publike. Në dokument evidentohen gjithashtu politizimi i emërimeve në institucione të pavarura dhe kufizimi i rolit të opozitës në procesin e integrimit europian. Një tjetër pikë e ngritur është reforma administrative dhe territoriale, e miratuar në tetor të këtij viti pa konsensus mes shumicës dhe opozitës. Sipas gjetjeve të cituara nga PD, prirja drejt ricentralizimit ka krijuar pasiguri për njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2027, opozita kërkon të diskutohet edhe nevoja urgjente për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse. Disa prej rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias mbeten ende të paadresuara, ndërsa përbërja e komisionit parlamentar të ngarkuar me hartimin e reformës nuk përfshin partitë më të vogla opozitare.

Partia Demokratike argumenton se progresraporti duhet të shërbejë si një plan konkret pune për institucionet shqiptare dhe se përparimi drejt anëtarësimit në BE kërkon llogaridhënie, respektim të ndarjes së pushteteve dhe masa për adresimin e mangësive të konstatuara.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top