Deklaratat e Donald Trumpit për tërheqjen e trupave amerikane jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga Italia dhe Spanja lidhen me mosmarrëveshjet për veprimet e SHBA-së në luftën me Iranin. “Këtë me shumë gjasa do ta bëj, pse të mos e bëj?”, tha Trump duke ju përgjigjur një pyetjejeje të gazetarëve lidhur me zhvendosjen e mundshme të trupave. Trumpi kritikoi veçanërisht Romën dhe Madridin: “Italia nuk na ka ndihmuar fare, dhe Spanja ka qenë e tmerrshme, absolutisht e tmerrshme.”
Sfondi i këtyre tensioneve lidhet me rezistencën në rritje brenda Evropës ndaj përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit me Iranin.
Sánchez kundër luftës në Iran
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, është shprehur qartë kundër zgjerimit ushtarak të konfliktit dhe ka bërë thirrje për zgjidhje diplomatike. Që në fillim të sulmit të SHBA-së kundër Iranit, qeveria spanjolle e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund t’i përdorin bazat ushtarake spanjolle për këtë qëllim. Më pas u bë e njohur se Spanja e kishte mbyllur edhe hapësirvn e saj ajrore për avionët amerikanë, që marrin pjesë në misionin ushtarak në Iran.
Prishja e marrëdhënies Meloni-Trump
Edhe në Itali po vërehet një distancim gjithnjë e më i madh nga linja amerikane. Veçanërisht për t’u përemendur është përkeqësimi i marrëdhënieve mes Trumpit dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni. Meloni konsiderohej për një kohë të gjatë si një nga aleatet më të afërta evropiane të Trumpit. Megjithatë, sipas vëzhguesve politikë, qëndrimi i saj i rezervuar ndaj sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane ka ndikuar për përkeqësimin e marrëdhënieve. Ndërsa Uashingtoni kërkonte mbështetje maksimale, Roma është përpjekur të shmangë përfshirjen e drejtpërdrejtë në konflikt.
Marrëdhënia e Melonit me Trumpin nisi të ftohet ndjeshëm që kur ajo u shpreh kundër kërcënimeve të tij për të aneksuar Groenlandën. Po ashtu pas sulmeve të Donald Trumpit ndaj Papës Leo XIV, pasi ky kritikoi luftën e SHBA dhe Izraelit kundër Iranit, Meloni nxitoi në mbrojtje të Papës.
Pasojat e tërheqjes së trupave amerikane
Sipas të dhënave zyrtare amerikane, më 31 dhjetor 2025 në Itali ishin të stacionuar 12.662 ushtarë amerikanë, në Spanjë 3.814 dhe në Gjermani 36.436. Një tërheqje e mundshme do të kishte pasoja jo vetëm ushtarake, por edhe politike, duke ndikuar ndjeshëm në NATO dhe në arkitekturën e sigurisë në Evropë./DW