Shqetësimit që pasoi deklaratën e ambasadës amerikane për mundësinë e sulmeve terorriste iraniane mbi Shqipërinë i është mbivendosur një mjegullnajë që e shton paqartësinë pas debatëve mes pozitës dhe opozitës në kuvend. “Grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane në Shqipëri. Ata gjithashtu mund të synojnë vende të zakonshme, të tilla si vende turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante. Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar”, shkruhej në njoftimin e Ambasadës amerikane në Tiranë.
Menjëherë qeveria shqiptare u përgjigj me një komunikatë, ku për shumëkënd binte në sy fakti se alarmi i Uashingtonit zhvlerësojëj si një “hamendësim” i cili nuk gjente asnjë bazë në informacionet e agjensive ligjzbatuese të fendit tonë. Në reagim ku nuk harrohej ironia e zakonshme ndaj opozitës thuhej: “Ambasada e SHBA jep rregullisht alarme të tilla, madje edhe kur dalin në protestë grupe opozitare që djegin kazanët e mbeturinave apo gjuajnë me molotov për të dalë në fotografi në gazetat e huaja, por agjencitë ligjzbatuese të Republikës së Shqipërisë nuk kanë asnjë informacion shqetësues lidhur me këtë hamendësim të ambasadës amerikane”.
Pikërisht kjo qasje e qeverisë u bë kryefjala e polemikave të opozitës, të enjten, në hapjen e kuvendit. Shefi i grupit të PD, Gazmend Bardhi i cili vuri në dyshim nivelin e koordinimit me SHBA-të ngriti disa pyetje: “A ka koordinim mes partnerëve ndërkombëtare për çështjen dhe çfarë informacionesh ka shkëmbyer qeveria shqiptare me SHBA, a ka një vlerësim zyrtar të institucioneve shqiptare për situatën e sigurisë në lidhje me çështjen e Iranit dhe çfarë masash parandaluese janë marrë dhe cilat janë strukturat e angazhuara në këtë çështje”, tha Bardhi, ndërkohë që deputetët e tij kërkuan të përgjigjet kryeministri ndërsa Fatmir Mediu i bëri thirrje presidentit të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare…
Pra pyetja që shtrohet është nëse ajo që paralajmëruan amerikanët qe një rrezik real, siç pretendon opozita, apo një alarm fallco siç po e trajton qeveria.
Vetë ministri i jashtëm Ferid Hoxha tha se “…vlerësimi që kemi sot, është që nuk ka asnjë arsye për të qenë të alarmuar”, ndërsa ai i mbrojtjes Ermal Nufi interpretoi: “Nuk ka vend për shqetësim. Ambasada Amerikane ka bërë thirrjen për të gjithë qytetarët e saj, e bën për të gjithë Evropën. Nuk e ka specifike për Shqipërinë”.
Por gjërat në terren duket sikur janë pak më ndryshe dhe pavarësisht deklaratave publike të qeveritarëve forcat e sigurisë në terren janë alarmuar. Menjëherë pas deklaratës së amerikanëve njësia e Antiterrorit në Policinë e Shtetit ka zhvilluar takime me përfaqësues të kësaj ambasade por dhe asaj izraelite. për pasojë njoftohet se është rritur niveli i gatishmërisë dhe janë shtuar kontrollet në terren. Në fokus të masave janë kryesisht ambasada amerikane, izraelite, kampi e muxhahedinëve në Manzë, si dhe sheshe e hapësira të mëdha publike në vend.
Në kuadër të këtij plani pritet të ketë edhe shtim të forcave policore në terren. Pjesë e grupit të punës është edhe SHISH, i cili në bashkëpunim me Antiterrorin do të ketë në fokus të shtuar sigurinë e objekteve diplomatike.