Kim Kardashian dhe ish-bashkëshorti i saj, Kanye West, raportohet se kanë kaluar Krishtlindjet e vitit 2025 së bashku, me qëllim ruajtjen e një marrëdhënieje të qetë bashkëprindërore për hir të katër fëmijëve të tyre.
Sipas burimeve për TMZ, bashkëthemeluesja e Skims dhe reperi i hitit “All of the Lights” ishin të sjellshëm me njëri-tjetrin gjatë festave dhe po bashkëprindërojnë në mënyrë paqësore fëmijët e tyre: North (12 vjeçe), Saint (10), Chicago (7) dhe Psalm (6).
Burimet shtuan se Kanye West, 48 vjeç, “ka punuar shumë me veten” dhe ka kaluar kohë duke reflektuar mbi sjelljet e tij të diskutueshme më herët gjatë këtij viti, përfshirë deklaratat e tij provokuese në rrjetet sociale dhe sulmet ndaj figurave publike.
Sipas raportimit, West tashmë e mbështet përdorimin e rrjeteve sociale nga vajza e tij e madhe, North, pavarësisht se më parë kishte qenë kundër kësaj.
Ndërkohë, javën e kaluar, Kanye West dhe bashkëshortja e tij aktuale, Bianca Censori, kaluan shumicën e kohës në Los Angeles, ku jetojnë edhe fëmijët e tij. Çifti u pa në disa dalje publike, përfshirë një mbrëmje baleti për shfaqjen “Arrëthyesi” (The Nutcracker) në Vigjilje të Krishtlindjes.
Gjatë fundjavës, West bëri gjithashtu një paraqitje të papritur në një shfaqje humori në Hollywood Improv, ndërsa një ditë më pas ai dhe Bianca Censori shoqëruan fëmijët Saint dhe Chicago në Disneyland California Adventure.
Kim Kardashian dhe Kanye West ishin të martuar nga viti 2014 deri në vitin 2022. Pas ndarjes, reperi fitues i çmimeve Grammy ka folur shpesh publikisht për vështirësitë e bashkëprindërimit, madje duke e krahasuar më parë takimin me fëmijët e tij me “vizita në burg”.
Nga ana e saj, Kim Kardashian ka treguar gjithashtu se bashkëprindërimi me West ka qenë i vështirë. Në tetor, ajo zbuloi se Kanye nuk kishte kontaktuar me fëmijët për disa muaj.