Pas një muaji agjërimi dhe sakrifice, besimtarët myslimanë në Shqipëri festojnë sot Fitër Bajramin.
Në Tiranë, mijëra besimtarë u mblodhën në “Sheshin Skënderbej” për faljen e Bajramit, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH). Ceremonia nisi në 06:45 me leximin e Kuranit dhe ligjëratën, ndërsa pritjet tradicionale në selinë e KMSH-së do të zhvillohen nga 09:00 deri në 12:00.
Kreu i KMSH-së uroi besimtarët, duke theksuar rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës për ata në nevojë. Në fjalën e tij, Bujar Spahiu ndau edhe urimin e tij në përfundim të muajit të shenjtë, ndërsa shprehu lutje për paqe në zonat e konflikteve.
“Konfliktet, luftërat dhe padrejtësitë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish të pafajshëm ka familje së sot nuk e ndjejnë gëzimin e kësaj lutjeje, e kësaj dite por dhimbjen e humbjes dhe pasigurinë e së nesërmes. Ne këtë ditë të bekuar lutjet tona shkojnë për të gjithë ata që vuajnë, për fëmijët që rriten mes frikës dhe zhurmës së luftës, për nënat që presin me ankth një lajm për bijtë e tyre dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi”, tha ndër të tjera Spahiu.