Partizanit i anulohen dy gola, Vllaznia i merr fitoren në fund me dy gola të Dodaj

Vllaznia ka dhënë një tjetër sinjal të fortë në garën për titull, duke fituar në transfertë ndaj Partizani në “Arena e Demave”. Një sukses me peshë jo vetëm për renditjen, por edhe për mënyrën se si erdhi, ndaj një skuadre që prej javësh dukej e pathyeshme. Partizani deri diku i pafat, për dy golat e anuluar Isgandarli, por në fund vendosi Kejvin Dodaj, me dy gola që nxorrën praktikisht nga lufta për titull të kuqtë (-12), që sidoqoftë mbeten në katërshe.

Trajneri Edi Martini konfirmoi edhe një herë se di të gjejë formulën e duhur përballë skuadrës së drejtuar nga Oltjon Kërnaja. Në fakt, seria pozitive e Partizanit pa humbje në tetë ndeshje kampionati u ndërpre pikërisht nga Vllaznia, ashtu siç kishte ndodhur edhe herën e fundit kur të kuqtë dolën pa pikë nga fusha.

Nëse në Shkodër ishte Vllaznia që i dha fund ecurisë së Partizanit, këtë herë kuqeblutë e bënë të njëjtën gjë edhe në Tiranë, duke treguar se diferenca mes dy skuadrave këtë sezon nuk është rastësi. Heroi i mbrëmjes ishte Kevin Dodaj. Sulmuesi vendosi takimin me dy gola në minutat e fundit, në një kohë kur ndeshja dukej se po shkonte drejt një barazimi. Ishin goditje që jo vetëm vulosën tri pikët, por edhe i dhanë Vllaznisë një tjetër shtysë morale në fundin e sezonit.

Dy golat e Isgandarli, të anuluar
Nga ana tjetër, Partizani do të ketë pengje për dy rastet kur Vusal Isgandarli dërgoi topin në rrjetë, por në të dyja episodet pozicioni i tij ishte i parregullt. Keqardhje për sulmuesin azer, i kthyer nga Kombëtarja me gol, e protagonist i dy gjesteve spektakolare, fatkeqësisht në pozicion të parregullt.

Kjo fitore e rikthen Vllaznia te suksesi pas tri ndeshjeve pa fitore dhe e mban skuadrën në marshim drejt titullit kampion. Ndërkohë, Partizani mbetet 12 pikë larg kreut, një diferencë që në këtë pikë të sezonit duket gjithnjë e më e vështirë për t’u rikuperuar. Bilanci sezonal mes dy skuadrave e thekson edhe më shumë epërsinë e shkodranëve: tri fitore për Vllazninë dhe një barazim në katër përballje direkte.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top