Mbahet sot seanca e radhës gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO) për dosjen “Partizani”, me të pandehur Sali Berishën, dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi dhe të tjerët.
Prokuroria e Posaçme do të paraqesë kundërshtimet sa i përket kërkesat për provat të bëra nga të pandehurit. SPAK, në lidhje me kërkesat për papërdorshmëri apo paligjshmëri të provave, kërkon që këto pretendime të të pandehurve të mos merren parasysh dhe të rrëzohen.
Ndërsa sa i përket kërkesës së Berishës për të thirrur kryeministrin Edi Rama si dëshmitar, SPAK thotë se ia “lënë në çmim gjykatës”.
Sa i përket kërkesës së mbrojtjes së financieres Andia Pustina, SPAK ka argumentuar se nuk janë në kushtet për ndryshimin e akuzës ndaj saj. Ndërsa sa i përket studios Pustina, Prokuroria thekson se nuk ka shkak për pushim të akuzës.
Po ashtu, SPAK thotë se kërkesa për prova e të pandehurit tjetër Fatmir Bektashi dhe shoqërinë “Kontakt” janë dakord për dëshmitarin. Përsa u përket akt ekspertimeve të kërkuar nga kjo shoqëri duhet të saktësohen të dhënat e tjera.
“Për ekspertimin kontabël të merret për bazë ai që ne kemi sjell si provë, por nëse i pandehuri nuk është dakort ka të drejtën të rezervojë të drejtën për të rikryer akt ekspertimin.”, thekson SPAK.