Partizani e Vllaznia radha juaj: të kuqtë mjafton të fitojnë, Martini pret përmbysjen

Pas dështimit të Egnatias në Champions, shpresa mbetet te Partizani e Vllaznia, që nuk është se e kanë rrugën krejt të shtruar për tu kualifikuar në raundin e dytë të Conference League. Të kuqtë duhet të fitojnë, me cfarëdo rezultati, për të kaluar estonezët e Nomme Kalju, ndërsa akoma më e vështirë detyra për shkodranët, që duhët të përmbysin humbjen 0-1 në transfertën letoneze me Daugavpils.

Partizani, gati Isgandarli
1-1 në Estoni, por tani duhet një fitore në Tiranë për të shkuar në raundin e dytë të Conference League. Me atë që Partizani tregoi në 90 minutat e para kundër Nomme Kalju është plotësisht e arritshme, por barazimi sigurisht që i lë të hapur të gjithë skenarët. Të enjten në orën 20.00, në Air Albania, të kuqtë do të provojnë të marrin një fitore, e vlefshme me cfarëdo shifrash, për të vazhduar aventurën europiane, e për të mos përsëritur zhgënjimet e viteve të fundit. Problemet nuk mungojnë për Gegën, mbi të gjitha dëmtimi i Kekos, por nga ana tjetër mund të përdorë për herë të parë Isgandarli, jashtë sfidës në Estoni për cështje pasaporte.

Ish-anësori i Egnatias është një nga përforcimet më të rëndësishme të kryeqytetasve e është njeriu i duhur për të vënë në pozitat më të mira të mundshme para porte edhe Xhuljano Skukën. Goli i shënuar atje, i ka dhënë besim lojtarit, por edhe gjithë skuadrës, që të paktën në takimin e parë bënë të mos ndihej fakti që Kalju është shumë më përpara në përgatitjen fizike, duke qenë në mes kampionati. Partizani kërkon kualifikimin, Gega e dëshiron gjithashtu, ndërsa për tifozët është një detyrim për tu përmbushur, një hap drejt rikthimit të skuadrës në nivelet që i takon.

Vllaznia, duhet një përmbysje
Zhgënjimi ishte i madh, por besimi se kualifikimi është ende i arritshëm është prezent te Vllaznia. 0-1 kundër Daugavpils ishte ai që Edi Martini nuk e kishte parë as në ëndërrat e tij më të këqija, por ja që në Elbasan Arena u mblodhën shumë gjëra bashkë, përfshirë gabimet taktike, duke maturuar një humbje të hidhur, por sidoqoftë të rikuperueshme. Dëmtimet nga njëra anë e lanë mesfushën të zbuluar, ku mungesa e Malës u ndje, ashtu si edhe ajo e Jazxhi në mbrojtje, apo ikja e pambuluar e Grudës në sulm.

Pastaj edhe insistimi i Martinit për të luajtur me 3 qendrorë, pavarësisht një kundërshtari që nuk shtynte, apo krosimet e pavlera nga krahët, në kërkim të atij Balaj që nuk e gjetën kurrë, ndërkohë që vertikalizimet dëshmuan se mund të canin shumë më lehtë prapavijën shtatlartë të Daugavpils, sollën një pështjellim loje, që rezultoi me një humbje të pamerituar, për atë që skuadra shfaqi në tërësi. Letonezët ishin shumë pak gjë, vetëm ai gol rastësor e me fat, për ta menduar të mbyllur çështjen kualifikim. E kështu, me detyrën për të përmirësuar gjithçka nuk u bë mirë në 90 minutat e para, për të shënuar të paktën një gol sa për të evituar eliminimin, Vllaznia duhet të kërkojë kthesën në Letoni, në mënyrë që ky sezon i ri të mos nisë me një dështim të papritur, që mund të kushtojë edhe më shumë se thjesht një dalje nga Europa.

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top