Partia Demokratike zhvillon këtë të enjte, më 23 tetor, një aktivitet të veçantë për trajnimin e deputetëve të rinj, në një format të ngjashëm me atë që Partia Socialiste e aplikoi pas zgjedhjeve të 11 majit përmes Akademisë së saj Politike.
Takimi, që do të mbahet në ambientet e një hoteli në Tiranë, nis në orën 10:00 dhe organizohet me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer (KAS). Në pjesën hyrëse do të mbajnë fjalë përshëndetëse kryetari i PD-së Sali Berisha, shefi i zyrës së KAS-it në Tiranë Thomas Kunze, si dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi.
Qëllimi i trajnimit është përgatitja e deputetëve të rinj të opozitës për rolin e tyre në Kuvend, përmirësimi i komunikimit publik dhe forcimi i aftësive parlamentare. Në listën e deputetëve të rinj të PD-së përfshihen Gjin Gjoni, Arjan Ndoja, Manjola Luku, Artan Luku, Kliti Hoti, Zija Ismaili, Denisa Vata, Bledi Himçi, Klodiana Çapja, Ivi Kaso, Fidel Kreka dhe Besart Xhaferi.