Nga Podgorica, delegacioni i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian ka theksuar se mbyllja e kapitujve të negociatave varet nga rezultatet konkrete në fushën e sundimit të ligjit.
“Parlamenti duhet të përshpejtojë emërimet në gjyqësor, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, bazuar në procedura transparente. Ky proces duhet të jetë një përgjigje e fortë dhe e besueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë dënimet në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë”, tha David McAllister, kryetar i Komisionit të Jashtëm të PE-së.
McAllister theksoi se vetëm miratimi i ligjeve nuk është i mjaftueshëm, nëse ato nuk zbatohen në praktikë.
Presidenti Milatoviç u tha eurodeputetëve se për një vit parlamenti nuk ka votuar për propozimet e tij për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese. Kjo vonesë, sipas tij, rrezikon funksionalitetin e plotë të këtij institucioni.