Orët e paradites do të paraqiten nën mbizotërimin e vranësirave dhe reshjeve të shiut në pjesën më të madhe të vendit, ku më të dukshme do të jenë në zonat veriore dhe veriperëndimore. Ndërkohë në zonat Jugore dhe qendrore do të jenë në sasi më të pakta. Parashikohet që orët e pasdites dhe mbrëmjes të sjellin dobësim të intensitetit të reshjeve por mbeten prezent në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në të dy vlerat ekstremale ditore duke u luhatur nga 2°C vlera minimale e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 15°C vlera maksimale e cila pritet në qytetin e Vlorës. Era do të fryjë mesatare deri e fortë përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi Veriperëndimor, për pasojë në brigjet detare do të krijohet dallgëzim 4 ballë.
Kosova
Kushtet e paqëndrueshme atmosferike do të vijojnë të jenë dominante përgjatë paradites në pjesën më të madhe të Kosovës, ku reshjet e shiut dhe dëborës do të jenë prezente, më të theksuara në zonat veriore dhe veriperëndimore. Parashikohet që orët pasdites dhe në vijim të sjellin përmirësim të situatës së reshjeve, por ulen temperaturat duke ri-kthyer ngricat në disa akse rrugore. Temperaturat e ajrit do të ulen si në vlerat minimale, por edhe maksimalet duke u luhatur nga 0°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 6°C vlera më e lartë në qytetin e Prizrenit. Era do të fryjë mesatare paradite, por forcohet gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë mbi 45 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor.
Maqedonia e Veriut
Pritet sërish rënie e vlerave barike duke sjellë në MV mot, kryesisht të paqëndrueshëm dhe dominim të vranësirave dhe reshjeve të shiut dhe dëborës në të gjithë territorin, më të dendura në zonat Jugore dhe Jugperëndimore. Parashikohet që pasditja dhe mbrëmja të sjellin dobësim të reshjeve si edhe ndërprerje të tyre në të gjithë territorin e MV, por ulen temperaturat duke sjellë sërish ngrica të theksuara në shumë akse rrugore; Temperaturat e ajrit do të ulen si në vlerat minimale edhe maksimale duke luhatur vlerat ditore nga 0°C vlera minimale e shënuar në Dibër deri në 7°C vlera maksimale në qytetin e Manastirit. Era do të fryjë e mesatare gjatë paradites POR forcohet në pjesën e dytë të ditës duke arritur shpejtesinë maksimale mbi 40 km/h nga drejtimi Veriperëndimor.
Europa
Një pjesë e mirë e kontinentit evropian do të paraqitet nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme duke sjellë mot të kthjellët dhe vranësira të lehta e kalimtare. Konkretisht, me diell do të paraqiten gadishulli Iberik, Europa qendrore, brigjet e Egjeut si edhe brigjet e Detit të Zi ndërsa për sa i përket gadishullit Skandinav, rajonit të Balltikut si edhe Europës Lindore do të paraqiten me vranësira reshje të dendura dëbore si edhe ngrica të theksuara. Gjithashtu vranësirat, reshjet e shiut dhe dëborës do të vijojnë në ishujt Britanikë dhe rajonin e Ballkanit, por intensiteti i reshjeve në këto rajone do të jetë i dobët.