Edhe këtë të martë, në vendin tonë pritet mot i paqëndrueshëm, me vranësira dhe reshje shiu. Orët e paradites do të paraqiten me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të shpeshta të cilat hera-herës do të zhvillohen duke gjeneruar rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere.
Në zonat e thella malore do të rishfaqet sërisht dëbora. Gjatë orëve të pasdites dhe në vijim, vranësirat do të shtohen në të gjithë vendin duke sjellë shira me intensitet mesatar dhe lokalisht intensivë.
Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie si në mëngjes edhe në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 5°C vlera më e ulët e shënuar në qytetin e Peshkopisë deri në 23°C vlera maksimale e cila do të regjistrohet përkatësht në Vlorë dhe Sarandë.
Era nga kuadrati i jugut me shpejtësi deri në 10-12 m/s, përgjatë vijës bregdetare e lugina pritet të fitojë shpejtësi deri në 25 m/s. Valëzimi në det do të jetë deri në 5-6 ballë.