Vendi ynë do të jetë nën dominimin e intervaleve të gjata me diell në pothuajse të gjithë territorin, ku vranësira të lehta pritet të ketë vetëm në zonat e thella malore të Shqipërisë.
Por parashikohet që pjesa e dytë e ditës t’i bëj gradualisht më të dukshme vranësirat, në skajin verilindor dhe juglindor, por nuk priten reshje. Ndërsa nëpër lugina do të ketë mjegull gjatë orëve të para të mëngjesit.
Temperaturat e ajrit do të ulen ndjeshëm në mëngjes, por rënie e lehtë pritet në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga -7°C vlera minimale deri në 12°C maksimalja në rang territori. Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare përgjatë gjithë ditës duke arritur shpejtësinë maksimale 35 km/h nga drejtimi lindor – verilindor, kjo do të bëj që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë.
Kosovë
Edhe republika e Kosovës do të paraqitet me kthjellime dhe vranësira të lehta e kalimtare gjatë orëve të paradites, por pas mesditës dhe në vijim vranësirat do të bëhen më të dukshme në të gjithë territorin e Kosovës ku më të theksuara do të jenë në zonat veriperëndimore.
Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin përmirësim të kushteve atmosferike në të gjithë Kosovën. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie si në mëngjes edhe në mesditë duke u luhatur nga -9°C vlera më e ulët në Mitrovicë deri në 4°C vlera më e lartë në Prizren e Gjakovë. Era do të fryjë e lehtë paradite, por deri mesatare gjatë pasdites duke arritur shpejtësinë maksimale 40 km/h nga drejtimi kryesisht verilindor.
Maqedonia e Veriut
Republika e MV përgjatë gjithë 24-orëshit do të jetë nën ndikimin e motit të kthjellët dhe të ftohtë, por orët e pasdites do të sjellin herë pas here vranësira të shpeshta, por nuk priten reshje. Parashikohet që në mbrëmje dhe gjatë natës vranësirat të largohen nga i gjithë territori i MV. Temperaturat e ajrit do të ulen sërish si në vlerat minimale edhe ato maksimale duke u luhatur nga -8°C vlera minimale në qytetin e Ohrit deri në 4°C vlera maksimale e cila do të shënohet sërish në Shkup. Ndërkohë era do të paraqitet e lehtë deri mesatare duke arritur shpejtësinë maksimale deri në 40 km/h nga drejtimi kryesisht verilindor.
Europa
Zhvillimi i një qendre të fuqishme ciklonare përkatësisht në veri-verilindje të kontinentit Europian me ndikim deri në qendër do të diktojë kushte të paqëndrueshme atmosferike në Europën veriore, pjesërisht në qendër si edhe Europën lindore duke sjellë reshje të dendura dëbore. Po ashtu me vranësira; rrebeshe shiu si edhe stuhi të forta ere do të ketë në ishujt Britanikë si edhe gadishullin Iberik, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e kontinentit të Europës do të paraqitet nën ndikimin e masave ajrore me origjinë kontinentale duke kushtëzuar mot të kthjellët, por të ftohtë.