Këtë të mërkurë, në orët e para të ditës, vendi ynë parashikohet të jetë nën dominimin e intervaleve të gjata me diell në pothuajse të gjithë territorin. Vranësira të lehta pritet të ketë vetëm në zonat e thella malore të Shqipërisë. Pjesa e dytë e ditës pritet t’i bëjë gradualisht më të dukshme vranësirat, të cilat do të shfaqen edhe në qytetet e zonës së ulët.
Vija bregdetare në pjesën më të madhe të saj do të jetë nën mbizotërimin e kthjellimeve. Mbrëmja dhe nata vonë i zhvendosin gradualisht vranësirat drejt shtrirjes lindore. Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie të lehtë në mëngjes dhe në mesditë. Ato do të luhaten në vlerat ditore nga 8°C vlera minimale deri në 27°C maksimalja.
Era do të fryjë mesatare deri e fortë duke arritur shpejtësinë maksimale 40 km/h nga drejtimi verior – veriperëndimor. Kjo do të bëj që në brigjet detare të krijohet dallgëzim 2 ballë.