Paralajmërimi për vezë/ A do ta zhvendosë Rama mbledhjen me ministrat nga selia e PS

Kryeministri Edi Rama pritej të mblidhte sot pasdite në selinë e PS-së ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politikë në qarqe, por vendi i takimit mund të ndryshojë për shkak të protestës së paralajmëruar para selisë së Partisë Socialiste.

Protestuesit njoftuan se do të grumbullohen sot para selisë së Partisë Socialiste, pikërisht në orarin kur pritet të mbërrijnë ministrat dhe drejtuesit politikë socialistë. Ata kanë paralajmëruar gjithashtu se do të kenë me vete edhe vezë, si formë kundërshtimi ndaj qeverisë.

Në këto kushte, diskutohet mundësia që Rama të ndryshojë vendin e mbledhjes, i cili deri më tani mbahet sekret, për të shmangur përballjen e drejtpërdrejtë me protestuesit. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një konfirmim zyrtar se ku do të zhvillohet takimi.

Mbledhja vjen pak ditë pas takimit dyditor në Pogradec, ku në fokus ishte organizimi i strukturave socialiste për sezonin e ri politik, si dhe koordinimi mes drejtuesve politikë, ministrave dhe strukturave të partisë në territor.

Pas dy ditësh diskutimesh në Pogradec, takimi i sotëm në Tiranë pritet të shërbejë për kalimin në një fazë më konkrete të organizimit politik dhe elektoral të Partisë Socialiste, me përcaktimin e hapave të mëtejshëm në terren.

Mbledhja zhvillohet në kushtet kur prej tre muajsh mijëra qytetarë protestojnë para Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e Edi Ramës.

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top