Opozita ka ngritur në Kuvend shqetësimin pas deklaratës së ambasadës amerikane për sulme të mundshme nga grupe të lidhura me Iranin. Deputeti i PD, Tritan Shehu bëri thirrje që Presidenti të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në përgjigje ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha deklaroi se situata në Shqipëri është e sigurt dhe nuk ka vend për panik. Hoxha tha se janë në kontakt me të gjithë partnerët, përfshirë edhe me NATO-n.
“Nuk mund ta kalojmë me mendje lehtësi, ashtu siç ishte një reagim i qeverisë. Sot Rama duhet të referojë para Kuvendit, të dëgjojë pyetjet e deputetëve shqiptarë në lidhje me këtë çështje, për të sqaruar këtë [parlament, çfarë po ndodh, çfarë masash janë marrë. Nuk po shoh reagim as nga qeveria, as nga presidenca për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. E konsideroj serioz njoftimin e ambasadës amerikane, lidhje me pasigurinë në territorin shqiptar. Ishte serioz dhe tregon për diçka të rëndësishme që ne si deputetë duhet ta marrim në konsideratë. Nuk mund ta kalojë qeveria duke thënë se ishte hamendësim”, tha Shehu.
Gjithashtu dhe deputeti i Partise Demokratike z.Bardhi theksoi ne fjalen e tij
“Si pari, çështjet e sigurisë kombëtare nuk janë çështje kafenesh, janë çështje të Kuvendit të Shqipërisë. Sigurisht për të mos e përdorur për politikë dhe për të mos ngjallur asnjë shqetësim te qytetarët shqiptarë, ne nuk kemi asnjë informacion mbi çështjet që kishte njoftimi i Ambasadës së SHBA-ve.
Një qeveri që nuk arrin dot me radarë që nuk kontrollon tonelata nafte që hyjnë kontrabandë në Shqipëri. Një qeveri që nuk ka kapur asnjë gram kokainë edhe pse i kalon para syve. Një qeveri që nuk pa 98% të sipërfaqeve të lira të mbjella me kanabis sigurisht që nuk mund të jetë e besueshme. Përpjekjet për të diskretituar informacionin zyrtar të SHBA-ve si hamendësim, e bëjnë Shqipërinë qesharake në rastin më të mirë. Në rastin më të keq jep mesazhin që qeveria shqiptare nuk ka bashkëpunim me partnerin strategjik në fushën e sigurisë.
Mesazhi politik që dha dje Edi Rama, është që shqiptarët nuk duhet t’i besojnë SHBA-ve për çështjet e sigurisë dhe nuk duhet t’i kushtojnë vëmendje njoftimeve të tyre. Një tentativë për të diskredituar SHBA-në. Ne kërkojmë që Kryeministri të paraqitet menjëherë në seancën plenare.
Pse e cilësoi hamendësim paralajmërimin e SHBA-ve për synimet me vullnet të keq të Iranit në raport me Shqipërinë? A ka koordinim me partnerët ndërkombëtarë për çështjen? Çfarë masash parandaluese janë marrë dhe cilat janë masat e parashikuara në këtë çështje? Ju kujtoj që Kryeministri dhe ministrat e kanë për detyrë të shfaqen në seancë plenare kur thirren nga deputetët”, tha Bardhi.