Papa Leone XIV ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Izraelit, Isaac Herzog këtë të premte, me rastin e festimeve të Pashkëve. Po të shohësh njoftimet për shtyp, duket se përpos kortezisë me rastin e festave, Papa dhe Presidenti Herzog nuk janë në të njëjtën gjatësi vale sa i përket luftës në Iran.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Zyra e Shtypit e Selisë së Shenjtë që konfirmoi thirrjen telefonike, Papa bëri thirrje për dialog mes SHBA, Izraelit dhe Iranit si mundësia më e mirë për t’i dhënë fund konflikti tashmë disa-javor.
“Gjatë bisedës, u përsërit nevoja për të rihapur të gjitha kanalet e mundshme të dialogut diplomatik, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit serioz që vazhdon, me qëllim arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në të gjithë Lindjen e Mesme”, thuhej në deklaratën e Selisë së Shenjtë.
“Ndërsa diskutimi vazhdoi”, shtoi Zyra e Shtypit së Selisë së Shenjtë, “vëmendja u përqendrua në rëndësinë e mbrojtjes së popullsisë civile dhe promovimit të respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe humanitare”.
Por çfarë thotë Presidenti izraelit? Herzog përsëriti qëndrimin e tij, duke deklaruar se Irani mbetet një “kërcënim” që “sulmon njerëzit e të gjitha besimeve”.
“Me rastin e Pashkës Hebraike dhe Pashkëve të Krishtera, këtë mëngjes fola me Papën Leo XIV dhe u përcolla përshëndetjet e mia bijve dhe bijave të komuniteteve të krishtera në Tokën e Shenjtë dhe në mbarë botën, dhe shprehëm një shpresë të përbashkët për një të ardhme më të mirë për fëmijët e të gjitha feve.
Diskutuam luftën me Iranin dhe sulmet me raketa që synojnë civilët e besimeve të ndryshme në Izrael dhe në të gjithë rajonin. Diskutuam gjithashtu situatën në Liban dhe rëndësinë e sigurimit të sigurisë së komuniteteve të krishtera në të dyja anët e kufirit.
Theksova rëndësinë që Izraeli u kushton marrëdhënieve të tij me Vatikanin dhe botën e krishterë, si dhe nevojën për të promovuar bashkëpunim efektiv midis udhëheqësve botërorë dhe feve në luftën kundër antisemitizmit.”, tha ai.
Në thelb, dy deklaratat tregojnë qartë se telefonata mes Papës Leone XIV dhe presidentit Isaac Herzog, edhe pse e mbështjellë me tonet e zakonshme të urimeve për festat, nuk prodhoi një gjuhë të përbashkët për luftën në Iran. Vatikani e vendos theksin te dialogu diplomatik, mbrojtja e civilëve dhe respektimi i së drejtës ndërkombëtare, ndërsa pala izraelite e paraqet Iranin para së gjithash si një kërcënim të drejtpërdrejtë sigurie. Pra, pas kortezisë së Pashkëve, mbetet i dukshëm një dallim i qartë në qasje. Papa kërkon uljen e tensioneve dhe kthimin te diplomacia, ndërsa Izraeli vazhdon të flasë me gjuhën e luftës dhe të sigurisë.