Zëvendësprokurori Eugenio Fusco dhe prokurori Cristian Barilli kanë kërkuar një dënim prej 1 viti e 8 muaj burg për Chiara Ferragni-n, e cila akuzohet për mashtrim lidhur me reklamimin e supozuar të “Pandoro Pink Christmas” dhe vezëve të Pashkëve të markës së saj.
Sipas prokurorëve, hetimet e Guardia di Finanza (policia financiare italiane) kanë zbuluar se gjatë viteve 2021–2022, Ferragni dhe bashkëpunëtorët e saj kanë përfituar në mënyrë të padrejtë rreth 2.2 milionë euro, duke krijuar tek konsumatorët bindjen se çmimi i produkteve përfshinte një donacion bamirës, gjë që nuk ka rezultuar e vërtetë.
Influencerja ka mohuar gjithmonë çdo akuzë. Në sallën e gjyqit ajo deklaroi: “Gjithçka që kemi bërë, e kemi bërë me mirëbesim. Askush prej nesh nuk ka përfituar.” Ajo shpjegoi versionin e saj të ngjarjeve dhe përmendi disa prej iniciativave të kaluara bamirëse. Pas seancës, Ferragni u shpreh shkurt për gazetarët: “Jam e qetë. Nuk kam çfarë të shtoj më.”
Ferragni përfaqësohet nga avokatët Giuseppe Iannaccone dhe Marcello Bana. Mbrojtja pritet të paraqesë argumentet e saj përfundimtare më 19 dhjetor, ndërsa vendimi i gjykatës pritet në janar.
Sipas avokatëve, Ferragni nuk ka kryer asnjë vepër penale, ka mbyllur tashmë procedurat administrative dhe ka dhuruar gjithsej 3.4 milionë euro për të zgjidhur çështjet civile dhe administrative të lidhura me rastin.
Gjykata ka pranuar padinë civile të shoqatës “La Casa del Consumo”, e cila pretendon se ka konsumatorë të dëmtuar. Avokati i saj, Aniello Chianese, tha se shuma e kompensimit nuk është përcaktuar ende, por theksoi se “konsumatorët janë mashtruar”.