PANAIRI I LIBRIT “TIRANA 2025”, FALËNDERIM ZYRTAR I BOTIMEVE NACIONAL
Botimet Nacional shprehin mirënjohje dhe konsideratë të lartë ndaj të gjithë shkrimtarëve, poetëve, studiuesve, përkthyesve, botuesve, artistëve dhe lexuesve të letërsisë që vizituan stendën tonë në Panairin e Librit “Tirana 2025”, duke kontribuar edhe në një dialog kulturor dhe intelektual të qëndrueshëm.
Me mirënjohje të veçantë falënderojmë qindra mbështetës të gazetës letrare Nacional, të radios Nacional 93.6 MHz dhe të Botimeve Nacional, të cilët udhëtuan nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Diaspora, për të marrë pjesë në Panairin e Librit dhe për të dëshmuar mbështetje miqësore ndaj misionit tonë botues.
Vlerësojmë me respekt profesional të gjithë krijuesit dhe bashkëpunëtorët që, gjatë këtij viti, zgjodhën të realizojnë projektet e tyre nëpërmjet Botimeve Nacional dhe të botojnë veprat e tyre nën logon tonë, duke kontribuar në zgjerimin dhe pasurimin e platformës sonë editoriale.
Gjithashtu, falënderojmë të gjithë miqtë tanë që ndanë me ne ide, rekomandime dhe qasje konceptuale për projekte të përbashkëta, si dhe autorët që i besuan Botimeve Nacional botimin e veprës së tyre në gjuhën shqipe, në kuadër të angazhimit tonë për të mbështetur letërsinë shqipe dhe studimet mbi çështjen kombëtare.





Gjithashtu, shprehim mirënjohje të veçantë për shkrimtarët, poetët, artistët dhe përkthyesit e huaj nga vende të ndryshme të botës dhe nga të gjitha kontinentet, të cilët bashkëpunuan gjatë këtij viti me Botimet Nacional dhe me gazetën letrare e kulturore Nacional. Kontributi i tyre profesional, përvoja ndërkulturore dhe prurjet estetike e studimore që sollën në botimet tona përfaqësojnë një pasuri të çmuar, duke zgjeruar më tej hapësirën tonë editoriale dhe duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e letërsisë, kulturës dhe përkthimit.
Gazeta letrare dhe kulturore Nacional, e përjavshmja kombëtare, si dhe platformat tona mediatike: Botimet Nacional, radio Nacional dhe TV Nacional online, mbeten të angazhuara në dëgjimin dhe integrimin e ideve, sugjerimeve dhe perspektivave tuaja, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të veprimtarisë sonë botuese dhe paraqitjes sonë institucionale në panairin e librit të vitit të ardhshëm.
Shprehim mirënjohjen tonë për të gjithë ju që patëm mundësinë t’ju takonim në stendën tonë, si edhe për të gjithë ata që, për shkak të rrethanave, nuk arritëm t’i presim këtë vit. Ju sigurojmë se dyert e Botimeve Nacional mbeten të hapura për bashkëpunime, propozime dhe nisma profesionale në fushën e letërsisë, kulturës dhe studimeve shqiptare.
Me respekt të veçantë për kontributin dhe praninë tuaj,
Dr. Mujë Buçpapaj
Tiranë, 18.11.2025