Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut, ODIHR, është shprehur se Serbia e ka për detyrë të mundësojë tubime paqësore. Ata nuk duhet të përdorin forcë policore të paarsyeshëm ose të tepruar. Në një reagim në rrjetin social X, ajo tha Serbia është gjithashtu e detyruar ta “parandalojë dhunën, në përputhje me detyrimet e saj për të drejtat e njeriut”.
“Promovimi i dialogut dhe përgjegjësisë është mënyra më e mirë për t’i ulur tensionet e tanishme”, thuhet në reagim.
Një valë protestash, që filloi në Serbi në nëntor të vitit 2024, ka hyrë në një fazë të re tani. Ka pasur përleshje të përditshme midis demonstruesve dhe policisë që nga 12 gushti, kur dhuna shpërtheu në qytetet veriore, Vërbas dhe Baçka Pallanka.
Këto incidente ndezën protesta në dhjetëra qytete në vend, përfshirë kryeqytetin Beograd. Akuzat për brutalitet policor u përhapën në gjithë vendin. Ditët e fundit, disa organizata joqeveritare kanë bërë kallëzime penale kundër oficerëve të policisë.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se policia nuk po fshihte asgjë në lidhje me veprimet e saj në protesta. Ai shtoi se nëse do të kishte ndonjë tejkalim të autoritetit të gjithë do të mbanin përgjegjësi.
Që nga nëntori, në Serbi po zhvillohen protesta pas shembjes së strehës së betonit në stacionin hekurudhor të Novi Sadit. Aty humbën jetën 16 njerëz. Studentët dhe protestuesit kërkojnë përgjegjësi penale e politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare./REL