Në prag të Krishtlindjeve, Kardinali Pietro Parolin, zëvendëskomandanti i Vatikanit dhe prej kohësh negociatori diplomatik më i lartë për Kishën Katolike Romake thirri urgjentisht Brian Burch, ambasadorin e SHBA-së në Selinë e Shenjtë, për të kërkuar sqarime mbi planet e SHBA-së në Venezuelë.
Lajmin e ka publikuar “The Washington Post” sipas disa dokumenteve qeveritare që ka siguruar.
“A do të godasë SHBA-të vetëm trafikantët e drogës?” kishte pyetur ai dhe kishte shtuar nëse vërtet “administrata Trump po kërkonte të bënte ndryshimin e regjimit?”. Nicolás Maduro duhej të largohej, ishte ajo që kishte marrë si përgjigje Parolin, sipas dokumenteve, por ai i kërkoi SHBA-së që t’i ofronte atij një rrugëdalje.
Parolin: Rusia ishte gati t’i ofronte azil Maduros
Dokumentet tregojnë se për ditë të tëra, kardinali i fuqishëm italian ishte përpjekur të fitonte akses te Sekretari i Shtetit Marco Rubio, në një përpjekje të dëshpëruar për të parandaluar gjakderdhjen dhe destabilizimin në Venezuelë. Në bisedën e tij me Burch, një aleat i ngushtë i Trump, Parolin kishte thënë se Rusia ishte gati t’i ofronte azil Maduros ndaj ai iu lut amerikanëve të ishin të duruar duke e shtyrë atë drejt asaj zgjidhjeje.
“Ajo që iu propozua ishte që ai të mund të largohej dhe të shijonte paratë e tij”, – tha një person i njohur me propozimin rus. “Pjesë e asaj marrëveshjeje ishte që Vladimir Putin do të garantonte sigurinë e tij”.
Por kjo nuk ndodhi. Një javë më vonë, Maduro dhe gruaja e tij u kapën nga Forcat Speciale Amerikane në një operacion që kushtoi jetën e rreth 75 personave. Maduro u dërgua me aeroplan në Nju Jork për t’u përballur me akuzat për trafik droge.
Takimi i panjohur më parë në Vatikan ka qenë një nga shumë përpjekjet e dështuara mes amerikanëve dhe ndërmjetësve rusë, katarianë, turq, Kisha Katolike dhe të tjerë. Të gjithë kërkonin të shmangnin një krizë diplomatike dhe të gjenin një strehë të sigurt për Maduron përpara operacionit amerikan që ndodhi atë të shtunë.
Vatikani: Zhgënjim që pjesë të bisedës konfidenciale u publikuan
“Është zhgënjyese që pjesë të një bisede konfidenciale janë publikuar dhe nuk pasqyrojnë me saktësi përmbajtjen e vetë diskutimit, i cili u zhvillua gjatë periudhës së Krishtlindjeve”, – tha zyra e shtypit e Vatikanit në një deklaratë për mediat amerikane. Zëdhënësi i Birch ia kaloi Departamentit të Shtetit, pyetjet e The Washington Post”, i cili nuk pranoi të komentojë. Ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga gazeta amerikane.
Paralajmërimi i fundit për Maduron
Raporti, i bazuar në intervista me gati 20 persona, shumë prej të cilëve folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së bisedave dhe informacionit, përfshin detaje të reja rreth përpjekjeve të gjera ndërkombëtare për ta dëbuar Maduron në mërgim dhe për të parandaluar një ndërhyrje ushtarake amerikane, si dhe vendimin e administratës Trump për të punuar me nënpresidenten aktuale të Venezuelës në vend të udhëheqëses së opozitës të cilën Uashingtoni e ka mbështetur prej vitesh.
Javët dhe muajt që çuan te ajo ditë ishin të mbushura me mundësi të humbura për Maduron, i cili dukej i pavetëdijshëm se sa i pasigurt ishte bërë pozicioni i tij. Refuzimi i shumë “daljeve emergjente” të mundshme teksa anijet luftarake amerikane filluan të godisnin anijet që dyshohej se ishin të përfshira në trafikun e drogës në brigjet e Venezuelës dhe retorika amerikane u ashpërsua, përfundimisht do të vuloste fatin e tij.
Përpjekjet për të siguruar një rrugëdalje për Maduron vazhduan deri në minutën e fundit. Ai mori një paralajmërim të fundit vetëm disa ditë para operacionit të SHBA-së për ta kapur atë, sipas një personi të njohur me propozimin. Por udhëheqësi autokratik refuzoi të lëvizte.
“Ai nuk e pranoi marrëveshjen”, tha një person tjetër me njohuri për çështjen. “Ai thjesht u ul aty dhe pa të tjerët të krijonin një krizë”, – shtoi ai.
Sfida e Machados, zgjedhja e Rodriguezit dhe roli i CIA-s
Në të njëjtën kohë, SHBA-të po finalizonin një plan për pasardhësin e tij, duke e kthyer vëmendjen te “numri 2” i Maduros, zëvendëspresidentja Delcy Rodriguez. Ishte një ndryshim i habitshëm për Presidentin Donald Trump, i cili gjatë mandatit të tij të parë kishte vendosur sanksione ndaj Rodriguez dhe vëllait të saj të fuqishëm, Jorge, të cilët Uashingtoni në atë kohë i konsideronte anëtarë të regjimit të Maduros.
Por një qasje më pragmatike është përhapur gradualisht, pasi zyrtarë të lartë amerikanë kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e udhëheqëses së opozitës Maria Corina Machado për të fituar mbështetjen e ushtrisë dhe shtyllave të tjera të pushtetit që janë kontrolluar për dekada nga mbështetësit e të ndjerit Hugo Chavez, themeluesit të shtetit socialist të vendit.
Mendimi i Trump u ndikua pjesërisht nga një vlerësim i kohëve të fundit i klasifikuar i CIA-s se besnikët e Maduros do të ishin më efektivë në qeverisjen e një Venezuele pas-Maduros sesa Machado dhe ekipi i saj. Këtë e ka konfirmuar edhe një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë dhe një person në dijeni me çështjen. Vlerësimi, i raportuar për herë të parë nga Wall Street Journal, arriti në përfundimin se Machado do të kishte vështirësi në kapërcimin e forcave të sigurisë pro-regjimit. Analiza iu transmetua Trump nga drejtori i CIA-s John Ratcliffe, tha zyrtari.
Menjëherë pas kësaj, rrëfeu zyrtari, Trump vendosi për Rodriguez si pasardhëse të Maduros, pas një rekomandimi nga zyrtarët më të lartë të inteligjencës dhe sigurisë të administratës së tij.
Rodriguez “ishte krejt e kundërta e një ideologu”
Për vite me radhë, Rodriguez kishte një imazh publik si një “çaviste” e zjarrtë. Por privatisht, veçanërisht me përfaqësuesit e industrisë amerikane të naftës, ajo e paraqiti veten si një person krejtësisht tjetër. “Ajo nuk ishte antiamerikane, ajo madje jetoi në Santa Monica” gjatë viteve të kolegjit, tha një person që e kishte kontaktuar vazhdimisht. “Ajo ishte e kundërta e një ideologeje.”
Nuk ka asnjë tregues se Rodriguez e dinte për planin e SHBA-së për të larguar Maduron. As nuk iu tha se kishte dalë si zgjedhja e preferuar për ta pasuar atë, tha zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Do të kishte qenë “jashtëzakonisht e rrezikshme për ne të komunikonim diçka para operacionit”, tha ai.
Trump i tha Maduros “se mund të largohet në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”
Vetë Maduro dukej se po i keqinterpretonte sistematikisht sinjalet nga Uashingtoni. Ai besonte se një telefonatë në nëntor me Trumpin kishte shkuar “mirë”, kur në fakt po i thuhej se koha e tij kishte mbaruar. “Presidenti i tha se mund të ndiqte rrugën e lehtë ose të vështirë”, tha një zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë.
Trump madje e ftoi homologun e tij venezuelian në Uashington, sipas të njëjtit person, duke i ofruar atij një kalim të sigurt në mënyrë që të mund të flisnin ballë për ballë. Maduro refuzoi. Ai mendoi se demokratët do të fitonin zgjedhjet e mesmandatit, Trumpi do të dobësohej politikisht dhe ai vetë mund të qëndronte në pushtet.
“Ai rrinte atje jashtë duke kërcyer”, tha i njëjti person. “Por tani jo më”.
Rusia dhe Vatikani
Vatikani ka qenë prej kohësh një lidhje kyçe në negociatat ndërkombëtare me qeverinë e izoluar të Venezuelës. Një dekadë më parë, Selia e Shenjtë u përpoq pa sukses të ndërmjetësonte një marrëveshje midis Maduros dhe opozitës së fragmentuar. Kohët e fundit, ajo është përpjekur të promovojë dialogun përmes klerit të lartë në vend, ndërsa
Papa Leo XIV i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara kundër përdorimit të forcës.
“Unë besoj se dhuna nuk sjell kurrë fitore”, tha Papa në nëntor, pas raportimeve se një anije luftarake amerikane po shkonte drejt Venezuelës. “Çelësi është të kërkojmë dialogun”, tha ai.
Parolin, i cili më parë ka shërbyer si nunc papnor (ambasador i Vatikanit) në Karakas, kishte një interes personal në Venezuelë. Ai gjithashtu ka ndërmjetësuar me administratën Trump në të kaluarën për Ukrainën dhe Rusinë, sipas asaj që thotë një person në dijeni të bisedimeve.
Venezuela është një pikëmbështetje e madhe për Moskën në Amerikën Latine. Kur Chavez mori pushtetin në vitin 1999, vendi bëri blerje të mëdha të armëve ruse, duke përfshirë tanke, avionë luftarakë “Sukhoi” dhe raketa tokë-ajër. Rusia gjithashtu i ka ofruar kredi të konsiderueshme Karakasit, ka ofruar lehtësi financiare për ta ndihmuar atë të përballojë sanksionet e SHBA-së dhe mbetet një lojtar në industrinë e naftës së Venezuelës.
Sipas dokumenteve, Parolin i tha Burch se besonte që Maduro ishte i përgatitur të jepte dorëheqjen pas zgjedhjeve të korrikut 2024, të cilat u konsideruan gjerësisht si të manipuluara. Megjithatë, ai u bind më pas nga Ministri i Brendshëm i linjës së ashpër, Diosdado Cabello, se një veprim i tillë do t’i kushtonte jetën. Parolin gjithashtu vlerësoi se Maduro tani do të ngurronte të largohej pa mbështetjen e rrethit të tij të ngushtë dhe se ai ndoshta ishte i shqetësuar për atë që do të vinte më pas.
Një personi që ka njohuri për propozimin rus thotë se Moska ishte e gatshme t’u ofronte edhe azil pjesës tjetër të zyrtarëve të lartë venezuelianë. Gjithçka tregon se Maduro u tregua thjesht një kokëfortë, duke besuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmerrnin veprime. “Mendoj se ishte arrogancë”, – tha i njëjti person.
Një faktor tjetër duket se ka luajtur një rol. Disa në Uashington besojnë se Maduro nuk do të shkonte kurrë në Rusi sepse regjimi atje është shumë kufizues dhe sepse ai nuk do të kishte qasje në paratë nga tregtia e arit të Venezuelës, të cilat thuhet se i ka fshehur jashtë vendit.
Parolin sugjeroi, sipas të njëjtave dokumente, që Shtetet e Bashkuara të vendosnin një afat që Maduro të largohej dhe të ofronin garanci për familjen e tij. Kardinali tha se ishte “shumë, shumë, shumë i shqetësuar nga mungesa e qartësisë në lidhje me qëllimin përfundimtar të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë”. Ai bëri thirrje për durim, kujdes dhe përmbajtje. Por Shtëpia e Bardhë nuk priste më.
Një zgjedhje e re për udhëheqjen venezueliane
Rodriguez, vajza e një aktivisti të majtë i cili vdiq nën dhunën e shërbimeve sekrete venezueliane, ishte një figurë e lartë në regjimin socialist për vite me radhë. Nën Maduron, ajo u ngrit në nivelet më të larta të pushtetit dhe u bë një anëtare e domosdoshme e rrethit të tij të ngushtë.
Si ministre e naftës, ajo mori përsipër misione të ndjeshme ndërkombëtare në Turqi dhe Katar dhe u bë një bashkëbiseduese e besuar për interesat e naftës dhe investitorë të tjerë të huaj në Venezuelë edhe pse në krahun tjetër edhe ajo ndihmoi në minimin e demokracisë dhe konsolidimin e regjimit autoritar të Maduros.
Vitet e fundit, Rodriguez kishte filluar të fitonte besimin e segmenteve të komunitetit të biznesit në Karakas duke zbatuar reforma ekonomike, duke përmirësuar kursin e këmbimit dhe duke punuar me një grup të rinjsh, përfshirë ekonomistë nga qeveria e Rafael Correa kur ai ishte president i Ekuadorit.
Këto reforma kanë provokuar kundërshtim brenda qeverisë së Maduro, veçanërisht nga zonja e parë Celia Flores dhe nga elementë të vijës së ashpër të establishmentit të Chavez të cilët kishin përfituar nga sistemi i rrënjosur i pushtetit.
Përfaqësuesit e “Chevron”, e vetmja kompani amerikane që Uashingtoni e kishte lejuar të operonte në Venezuelë pavarësisht sanksioneve, takoheshin çdo muaj me Rodriguez dhe flisnin pozitivisht për të në administratën amerikane, madje edhe gjatë presidencës së Biden, sipas një ish-diplomati amerikan. Zyrtarët amerikanë thanë se “modeli Chevron” po funksiononte dhe Rodriguez po i përmbushte kërkesat e tyre.
I pyetur për një koment, një zëdhënës i Chevron tha se kompania nuk kishte pasur njohuri paraprake për operacionin ushtarak amerikan dhe nuk ishte përfshirë në diskutime me zyrtarët qeveritarë rreth qeverisjes së një Venezuele pas Maduros.
Udhëheqësit e biznesit venezuelianë filluan ta promovonin Rodriguez si dikë të aftë për të udhëhequr një tranzicion politik. “Ky konsensus duket se është pranuar në Uashington”, tha një person me njohuri brenda qeverisë së Maduros.
Zëvendëspresidentja ishte shfaqur gjithashtu si një menaxhere efektive në bisedimet me Katarin, një tjetër anëtar i OPEC-ut dhe një ndërmjetës kyç me Venezuelën vitet e fundit.
Katarianët ishin “thellësisht të zhgënjyer” me Maduron, i cili po i shkelte marrëveshjet që kishin bërë negociatorët e tij, sipas asaj që thotë një zyrtar i administratës Biden me njohuri për bisedimet. Vlerësimi i Katarit ishte se nëse Rodriguez “thotë se do të bëjë diçka, ajo bëhet”. Katarianët “e pranuan që Delcy duhet të jetë në krye të vendit para kujtdo tjetër” nëse Maduro do të largohej.
Një zëdhënës i qeverisë së Katarit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Në fillim të vitit të kaluar, i dërguari special i Trump për misionet speciale, Richard Grenell, mori një rol qendror në negociatat me Venezuelën, ndonjëherë me ndihmën e Katarit dhe ndonjëherë drejtpërdrejt me vëllain e Rodriguez, Jorge Rodriguez, një psikiatër, ish-ministër i informacionit dhe president aktual i Asamblesë Kombëtare. Në këto bisedime, Venezuela i hodhi poshtë vazhdimisht propozimet amerikane për largimin e Maduros nga pushteti.