Online dhe në jetën reale, Trump po na ofron një dritare në psikikën e tij

Gjatë një periudhe tre-orëshe të martën, Presidenti Trump qortoi Izraelin dhe Iranin me komente të mbushura me sharje në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë. Ai u tha gazetarëve se sapo kishte kritikuar kryeministrin e Izraelit dhe ndau në rrjetet sociale një pamje të ekranit të një mesazhi privat nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Shumica e presidentëve i trajtojnë krizat ndërkombëtare në mënyrë private. Në rastin më të mirë, mund të lëshojnë një deklaratë të formuluar me kujdes.

Por kjo nuk ka qenë kurrë mënyra e zotit Trump. Me këtë president, e gjithë bota ka mundësi të shohë mendimet, ankesat dhe dëshirat e tij në mënyra që shpesh i ngjajnë një të riu të varur nga interneti. Postimet e tij vijnë në çdo orë të ditës dhe natës, shumë prej tyre vetëlavdëruese, disa të parëndësishme, disa të zemëruara, dhe paraqitjet e tij në publik shpesh pasqyrojnë personazhin që shfaq online.

Të gjitha këto janë dritare drejt psikikës së tij, një thesar njohurish mbi qëllimet, gjendjen shpirtërore dhe ndjeshmëritë e komandantit të përgjithshëm (emër tjetër për Presidentin amerikan).

Për ndihmësit e zotit Trump, prirja e tij e kahershme për të ndarë gjithçka publikisht e bën atë “presidentin më transparent dhe më të qasshëm” në historinë amerikane.

“Një nga arsyet pse presidenti u rizgjodh është transparenca e tij dhe qëndrimi i drejtëpërdrejtë,” tha Karoline Leavitt, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë. “Për popullin amerikan është freskuese të kenë një president që gjithmonë thotë mendimin e tij dhe i tregon vendit saktësisht se ku qëndron.”

Qoftë impulsiv, i zgjuar, apo një kombinim i të dyjave, kjo hapje ka përfitime, nga mobilizimi i mbështetësve të tij, te mbajtja e kundërshtarëve jashtë ekuilibri, e deri te thjesht dominimi i vëmendjes publike.

Por ka edhe ndërlikime. Ai mund, pa dashje, të shkaktojë kriza diplomatike, të lërë ndihmësit dhe aleatët jashtë linje me mesazhet e tij dhe, siç ndodhi me deklaratat e hapura të ditëve të fundit për bombardimin e Iranit, të kthejë postimet dhe deklaratat publike në kërcënim për sigurinë operacionale.

Për më shumë se një javë, zoti Trump flirtoi publikisht me idenë e bombardimit të Iranit, duke i dhënë publikut një dritare të rrallë në mendjen e një presidenti që përballet në kohë reale me një vendim të madh ushtarak.

“Ndoshta do ta bëj, ndoshta jo,” tha ai në një moment.

Në fund, bombarduesit B-2 dhe avionët luftarakë amerikanë fluturuan brenda dhe jashtë Iranit pa u qëlluar asnjë plumb mbi ta. Por kur zoti Trump dha urdhrin për sulmin, zyrtarët thonë se iranianët kishin zhvendosur tashmë pajisjet nga objektet e tyre bërthamore, ndërsa rezervat e uraniumit të pasuruar të vendit mbeten ende publikisht të paidentifikuara. Një raport paraprak i klasifikuar i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes së SHBA-së arriti në përfundimin se sulmet e kanë kthyer pas programin bërthamor të Iranit vetëm me disa muaj.

Lexo më tej: Basti i Trump me sulmet e impianteve bërthamore të Iranit
Prirja e zotit Trump për të ndarë mendimet e tij për çdo çështje pothuajse në çdo moment e ka bërë gjithashtu më të lehtë për qeveritë e huaja, që zakonisht investojnë burime të mëdha për të kuptuar se çfarë mendon dhe dëshiron presidenti amerikan. Sot, gjithçka që u duhet është një llogari në Truth Social dhe një abonim në ndonjë kanal lajmesh.

“Me Nixonin, duhej të prisje që të dilnin regjistrimet e Shtëpisë së Bardhë për të dëgjuar se çfarë mendonte realisht,” tha Gary J. Bass, profesor i shkencave politike në Universitetin Princeton dhe autor i librit The Blood Telegram, për Nixonin. “Nixoni mund të ishte plot zemërim privatisht, por e kontrollonte veten në publik. Tani me Trumpin, ka kaq shumë gjëra që ai i thotë hapur në publik ose i poston në rrjetet sociale.”

Megjithatë, ajo që presidenti thotë një ditë mund të mos jetë më qëndrimi i tij disa orë më vonë. Dëshira e tij për të ndryshuar mendje e bën veçanërisht të vështirë për ndihmësit që përpiqen të jenë në linjë me mesazhin e tij. Pas sulmeve të SHBA-së ndaj Iranit, nënpresidenti JD Vance dhe sekretari i shtetit Marco Rubio thanë në intervista se Shtetet e Bashkuara nuk kishin interes të organizonin një ndryshim regjimi në Iran.

Disa orë më vonë, presidenti ndërhyri dhe u duk i hapur ndaj kësaj ideje.

“Nuk është politikisht korrekte të përdorësh termin ‘Ndryshim Regjimi’, por nëse regjimi aktual iranian nuk është në gjendje ta BËJË IRANIN SËRISH TË MADH, pse të mos ketë një ndryshim regjimi???” shkroi ai në Truth Social.

Trump nuk i sheh me sy të mirë ndihmësit që dalin publikisht kundër tij, edhe kur e bëjnë pa dashje. Prandaj, për shumë prej tyre, është thjesht më e lehtë të mos flasin fare publikisht për politikat ose botëkuptimin e presidentit.

Kjo nuk është një dukuri e re për zotin Trump. Gjatë mandatit të tij të parë, ai postonte me obsesion në Twitter (tani X), duke shpallur vendime politike, duke pushuar ndihmës dhe duke sulmuar kundërshtarët. Ai e ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si një president komunikon me botën, duke detyruar këdo që ka interes në politikën amerikane të aktivizojë njoftimet për çdo postim të tij.

Të martën, njoftimet e para erdhën herët në mëngjes, sepse presidenti ishte zgjuar me shumë për të thënë. Ai publikoi postimin e tij të parë në rrjetet sociale para orës 6 të mëngjesit, një paralajmërim urgjent për Izraelin: “MOS I HIDHNI ATO BOMBA. NËSE E BËNI, ËSHTË NJË SHKELJE E MADHE.”

Më pas doli nga Shtëpia e Bardhë dhe shpërtheu para gazetarëve, duke i drejtuar kritika si Izraelit, ashtu edhe Iranit, në një moment kur dukej se armëpushimi i brishtë që kishte ndërmjetësuar mund të shpërbëhej.

Edhe pasi foli me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe siguroi botën, përmes platformës së tij sociale, se armëpushimi ishte ende në fuqi, zoti Trump nuk kishte mbaruar me deklaratat. Kështu që shkoi në kabinën e shtypit në pjesën e pasme të avionit presidencial Air Force One, ndërsa fluturonte drejt Europës për samitin e NATO-s, dhe mori përsëri pyetje nga gazetarët.

Më pas, gjatë fluturimit gjashtë orë e njëzet minuta drejt Holandës, zoti Trump vazhdoi të postonte disa herë në rrjetet sociale. Ai ndau një screenshot të një mesazhi servil që kishte marrë nga Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Ripostoi disa mesazhe nga ndjekës që thoshin se ai meritonte Çmimin Nobel për Paqen, një trofe që e ka kërkuar prej kohësh, dhe goditi demokratët me nofkat e tij përçmuese.

Pasi zbriti, darkoi me krerët e tjerë të aleancës së NATO-s. Edhe ata, si gjithë të tjerët, s’kanë çfarë bëjnë veçse presin postimin e radhës në rrjetet sociale për të kuptuar çfarë mund të ndodhë më pas.

The New York Times, përshtati në shqip ©LAPSI.AL

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top