Ofensiva e Izraelit: 40% e qytetit të Gazës nën kontroll, mes akuzash për genocid

Izraeli ka nisur zyrtarisht ofensivën e shumë paralajmëruar tokësore në rrugët e dendura të qytetit të Gazës, konfirmuan zyrtarë ushtarakë. Një zyrtar i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha se trupat kanë filluar atë që e quajti “faza kryesore” të operacionit, me një avancim gjatë natës nga periferitë drejt qendrës së qytetit.

“Natën e kaluar nisëm thellimin e operacioneve në brendësi të qytetit të Gazës,” tha zyrtari. “Është një proces gradual, jo bardh e zi. Por dje ishte një hap i madh përpara… në operacionet tokësore.”

Ai shtoi se kjo fazë karakterizohet nga një manovër e koordinuar që bashkon inteligjencën precize, forcat ajrore dhe tokësore, duke synuar shkatërrimin e fortifikimeve qendrore të Hamasit. IDF pret rezistencë të fortë nga rreth 3,000 luftëtarë të Hamasit dhe aleatëve të tyre në qytet, disa prej të cilëve ndodhen atje që nga fillimi i luftës dhe po përgatiten të luftojnë mbi dhe nën tokë.

Sipas Haaretz, dy divizione të ushtrisë janë përfshirë në avancim dhe një tjetër rrethon qytetin; deri në mesditë IDF kontrollonte rreth 40% të territorit të tij.

Viktima dhe akuzat për gjenocid
Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi të martën se 59 persona u vranë dhe 386 u plagosën në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin zyrtar të të vrarëve palestinezë në gati 65 mijë gjatë gati dy viteve lufte, me frikën se shifra reale është shumë më e lartë.

Sulmi tokësor erdhi ndërsa një panel i OKB-së për të drejtat e njeriut publikoi një raport që akuzon Izraelin për gjenocid.

“Është e qartë se ka një synim për të shkatërruar palestinezët në Gaza përmes veprimeve që plotësojnë kriteret e konventës për gjenocid,” tha Navi Pillay, kryetare e komisionit të hetimit mbi territorin palestinez të pushtuar dhe Izraelin.

Ministria e Jashtme e Izraelit e hodhi poshtë raportin si “të shtrembëruar dhe të rremë”.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi në një postim në X: “Gaza po digjet. IDF po godet me grusht të hekurt infrastrukturën e terrorit. Ne nuk do të ndalemi derisa misioni të përfundojë.”

Qyteti nën zjarr dhe eksod civil
Banorët e Gazës raportuan një natë me bombardime intensive para sulmit tokësor. IDF beson se rreth 40% e një popullsie prej rreth 1 milion banorësh kanë ikur pas urdhrave izraelitë për evakuim, ndërsa të tjerëve u është bërë thirrje të largohen drejt jugut. Sipas të dhënave të OKB-së, 140 mijë njerëz kanë braktisur qytetin gjatë muajit të fundit.

“Nuk ka asnjë strehë të sigurt për popullsinë e zhvendosur,” tha Tess Ingram, zëdhënëse e UNICEF-it nga kampi i mbipopulluar Al-Mawasi në bregun jugor të Gazës.

“Është çnjerëzore të presësh që gati gjysmë milioni fëmijë, të traumatizuar nga mbi 700 ditë konflikti, të ikin nga një ferr dhe të përfundojnë në një tjetër,” shtoi ajo.

Zëdhënësi në gjuhën arabe i IDF-së, koloneli Avichay Adraee, njoftoi: “IDF ka filluar çmontimin e infrastrukturës terroriste të Hamasit në qytetin e Gazës. Qyteti është zonë luftimesh e rrezikshme. Qëndrimi atje ju rrezikon jetën.”

Netanyahu dhe mbështetja amerikane
Kryeministri Benjamin Netanyahu konfirmoi se “një operacion i fuqishëm në Gaza” kishte nisur gjatë natës, duke e quajtur “një fazë vendimtare”. Ai e bëri këtë deklaratë gjatë një seance të gjyqit për korrupsion në Tel Aviv, duke e përdorur ofensivën si arsye për të shmangur seanca të gjata, ndërkohë që kritikët e akuzojnë se po zgjat luftën për të shtyrë zgjedhjet dhe për të ruajtur imunitetin.

Sulmi pasoi vizitën dy-ditore të sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, i cili premtoi “mbështetje të palëkundur” për Izraelin.

Në të njëjtën kohë, ish-presidenti Donald Trump, në platformën e tij Truth Social, shpërndau një raport të pakonfirmuar se Hamasi kishte nxjerrë disa nga rreth 20 pengjet izraelite të mbijetuara në rrugë si mburoja njerëzore. “Mos lejoni që kjo të ndodhë, ose çdo ‘bast’ përfundon,” paralajmëroi Trump.

Me raportime të vazhdueshme nga terreni, përfshirë edhe nga brenda Gazës, mediat ndërkombëtare vijojnë të dokumentojnë situatën dramatike që po përshkallëzohet çdo orë.

The Guardian, përshtati në shqip ©LAPSI.AL

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top