Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje për një ndërprerje të menjëhershme të armiqësive në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për një krizë shëndetësore në kohë reale që po përshkallëzohet në disa vende të rajonit.
Drejtoresha rajonale për Mesdheun Lindor, Hanan Balkhy, theksoi se spitalet dhe institucionet shëndetësore duhet të trajtohen si strehë të sigurta, duke dënuar sulmet e përsëritura ndaj tyre.
“Situata ka qenë e vështirë prej kohësh, por ajo që po shohim sot është një krizë e vërtetë rajonale shëndetësore që po zhvillohet në kohë reale”, deklaroi ajo në një intervistë për The Guardian.
Sipas saj, konflikti që përfshin Iran, Izrael dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shkaktuar pasoja të rënda njerëzore dhe ka çuar në kolaps të aksesit në kujdesin shëndetësor në shumë zona. Autoritetet raportojnë se mbi 1,500 persona janë vrarë në Iran, më shumë se 1,000 në Liban dhe dhjetëra në Izrael, ndërsa viktima janë raportuar edhe në Bregu Perëndimor dhe vendet e Gjirit.
Kriza ka sjellë edhe zhvendosje masive të popullsisë. Sipas OBSH-së, rreth 3.2 milionë njerëz janë zhvendosur në Iran dhe mbi 1 milion në Liban brenda më pak se një muaji. Pacientët me sëmundje kronike po mbeten pa trajtim për shkak të mbylljes së spitaleve dhe kushteve të pasigurta.
OBSH ka shprehur shqetësim të thellë edhe për rrezikun e goditjeve ndaj objekteve bërthamore, përfshirë centrali bërthamor i Bushehrit, si dhe për mundësinë e shkatërrimit të impianteve të desalinizimit, që do të sillte pasoja katastrofike për furnizimin me ujë në rajon.
“Edhe burimet alternative të ujit mund të kontaminohen nga ndotja e shkaktuar nga sulmet ndaj objekteve të naftës apo atyre bërthamore,” paralajmëroi Balkhy.
Organizata ka verifikuar dhjetëra sulme ndaj sistemeve shëndetësore në Iran, Liban dhe Izrael, ndërsa një sulm i fundit në një spital në Darfurin Lindor të Sudan la të paktën 70 të vdekur.
Në këtë kontekst, OBSH po punon me agjenci të tjera të OKB-së për të zbutur pasojat dhe për të parandaluar një katastrofë më të madhe humanitare.
“Duhet të ndalojmë sulmet ndaj spitaleve, punonjësve të shëndetësisë dhe pacientëve. Të paktën sektori i kujdesit shëndetësor duhet të mbetet një strehë e sigurt,” përfundoi ajo, duke kërkuar ulje të menjëhershme të tensioneve dhe një armëpushim të qëndrueshëm në rajon.