Obligacionet 15-vjeçare, yield-i pëson përsëri rënie të lehtë

Yield-i i obligacioneve 15-vjeçare pësoi një tjetër rënie të lehtë në ankandin e kësaj jave dhe arriti një nivel të ri të ulët historik. Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë, në rihapjen e ankandit të këtyre instrumenteve yield-i uniform i pranuar zbriti në 5.57%, nga 5.59% që kishte qenë në ankandin e emetimit fillestar, në shkurt të këtij viti.

Yield-i i këtyre instrumenteve ka rënë për të gjashtin ankand radhazi dhe ka prekur nivelin më të ulët historik. Krahasuar me një vit më parë, yield-i i këtyre instrumenteve ka rënë me pothuajse dy pikë përqindje. Të dhënat e ankandit tregojnë se edhe në këtë rast kërkesa e investitorëve ka qenë mjaft e lartë, duke nxitur rënien e mëtejshme të yield-eve. Nga 1.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave të paraqitura në ankand arriti në 2.1 miliardë lekë.

Në përgjigje të kërkesës së lartë dhe kushteve të favorshme, Ministria e Financave vendosi ta rrisë vlerën e emetimit në 1.725 miliardë lekë. Në rast se shuma e emetimit nuk do të ishte rritur, yield-i do të kishte rezultuar edhe më i ulët. Edhe pjesa e parë e këtij viti ka konfirmuar tendencën në rënie të yield-eve të instrumenteve të borxhit të qeverisë.

Rënia e yield-eve është përcaktuar nga gjendja e mirë e likuiditetit në treg, nga kërkesa në ulje e qeverisë për financim në tregun e brendshëm, por edhe nga një perceptim në rënie lidhur me rrezikun. Që prej vitit të kaluar, investitorët jorezidentë po luajnë një rol të rëndësishëm në kërkesën për titujt e borxhit publik. Investitorët nga jashtë vendit blenë 14.4 miliardë lekë ose rreth 143 milionë euro instrumente borxhi në lekë të qeverisë shqiptare vitin e kaluar.

Shuma e investuar prej tyre përbënte 29% të shtesës së huamarrjes së brendshme për vitin 2024. Pjesëmarrja e investitorvëe nga jashtë ka rritur më shumë likuiditetin në treg. Ndërkohë, përmirësimi i parametrave makroekonomikë dhe në veçanti ulja e borxhit public ka përmirësuar vlerësimin e kreditit sovran të qeverisë shqiptare në dy vitet e fundit.

Në muajin mars, agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” përmirësoi për të dytin vit radhazi vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran, nga “BB-” në “BB”, me perspektivë të qëndrueshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të vitit 2024 borxhi publik zbriti në 53.95% të PBB-së, në rënie të mëtejshme nga niveli prej 57.5% i një viti më parë. Që nga viti 2021, borxhi publik ka rënë me afërsisht 20 pikë përqindje ndaj PBB-së. Rënia e këtij raporti i detyrohet sidomos forcimit të Lekut në kursin e këmbimit, por pjesërisht edhe uljes së deficitit buxhetor në vitet e fundit dhe rritjes së kënaqshme ekonomike.

Nga ana tjetër, qeveria shqiptare po përdor rregullisht huamarrjen e jashtme, nëpërmjet Eurobondeve, për të mbuluar pjesërisht financimin e deficitit të brendshëm buxhetor. Një pjesë e deficitit të këtij viti do të mbulohet nga huamarrja prej 650 milionë eurosh e Eurobondit që u emetua muajin e kaluar. / Monitor

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top