Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur një komentuesi live në rrjetet sociale ka vijuar me sulmin ndaj opozitës. Rama tha se në PD nuk ka demokraci, dhe kjo u reflektua qartë në procesin e primareve. Sipas tij këto të fundit u ‘zhbënë’ nga vetë kryetari i partisë Sali Berisha. Ai shtoi se Shqipërinë në BE nuk e fut dot Berisha apo partitë e reja që i konsideron si kopje të tij.
“Unë them që kjo punë nuk është kështu dhe për më tepër në 11 maj nuk është çështjesh partish si asnjëherë tjetër. Nuk ishte çështje partish në ’92. Njerëzit votuan për PD atëherë, unë s’kam votuar atëherë. Populli e votoi masivisht me të drejtë se nuk kishte tjetër, sepse ishte një votë gjeopolitike. Për herë të parë që atëherë, më 11 Maj është votë gjeopolitike. A do të hysh në BE? Apo për mustaqet e Kujtim Gjuzit do sakrifikosh veten tënde para pasqyrës.
Që do të të vijë nesër zor kur të thuash se nuk votova për të hyrë në BE sepse e fus unë Shqipërinë në BE me PS. Jo bufi i kënetës, qua qua qua apo qilimat fluturues që dalin dhe ulërasin si me qenë kopje të vogla të bufit dhe thonë jemi parti të reja dhe shajnë. Nuk e fusin ata. Nuk kanë lidhje ata me këtë punë. Ka kënetë, jo PD. Për veten tënde votoje PS. Merre pasaportën dhe fute Shqipërinë në BE. Nuk ka demokraci, por buf kënete se e pe vetë me primaret”, tha Rama.