“Humbëm ndeshjen nga një episod, një penallti, por nuk e dinim që kundërshtarët do të ishin aq të egër në aspektin sportiv”. Orges Shehi nuk e fsheh nervozimin pas humbjes në Korçë, 1-0 kundër Skënderbeut. Tekniku i Partizani, i goditur nga mungesat, shpjegon çfarë ndodhi: “Unë mendoj se Cara na kryqëzon shumë, sidomos për mënyrën se si luan. Dje mora përgjigjen negative nga Maguette, edhe Mensah doli shumë shpejt i dëmtuar. Bintsuka nuk është në gjendjen e tij optimale. Edhe ata kanë peshën e vetë, sidomos Cara është i rëndësishëm”.
Shehi pastaj u ndal më shumë në psokologjinë e ekipit, se në mëyrën e lojës, ndoshta i bindur se ishte zgjedhja më e mirë: “Mërzitja është prezente, sidomos kur humb ndeshjen. Na vjen keq që luajmë me dy tablo, sidomos kur episodet vendosin. Kur hynë në pjesën e dytë në stres, drita pastaj venitet. Kishim vështirësi në nxjerrjen e topit, duke ditur që Rrapaj kishte markim një kundër një në të gjitha zonat e fushës. Edhe në pjesën e dytë i tentuam të gjitha”.
GVOZDENOVIC: “E VONUAM LOJËN SE DUHEJ”
Tekniku i Skënderbeut Ivan Gvozdenovic është i lumtur që mposhti kampionët në fuqi, edhe pse fitorja 1-0 ndaj Partizanit e bëri që skuadra e tij të bënte sjelljen që kritikoi javën e kaluar. “Dinamo pak ditë më parë e thashë që vonoi lojën, unë thashë pastaj që kishin të drejtë, se ishte 0-1. Kur ishim 1-0, edhe ne vonuam lojën. Por kjo është pjesë e lojës”, tha Gvozdenovic, duke justifikuar shtrirjet e lojtarëve të tij dhe vonesat e shpeshta në lojë.
Tekniku serb megjithatë nuk dëshiron të përqendrohet te Final Four, sepse situata ndryshojnë me shepjtësi: “Ne shohim vetëm javë për javë, se nuk mund të them ndryshe. Kam ekip shumë të talentuar, tani fitojnë eksperiencë. Por jemi ende skuadër e re. Nuk mund të flasim shumë, do të bëjmë pushim nesër, do të festojmë sot pak. Pastaj kemi një javë shumë të vështirë kundër Laçit, do të shohim javë për javë. Nuk mund të flasim për “Final Four”, kemi akoma shumë ndeshje”, tha Gvozdenovic.