Mungesa e arritjes së objektivit me sa duket është penalizues vetëm nëse je trajneri i kombëtares A. Pikërisht kështu sepse Federata e Futbollit ka rinovuar kontratën me trajnerin e Kombëtares U-21, Alban Bushi, pavarësisht se nuk arriti të kualifikohet në Euro2025. Marrëveshja e re që lidh FSHF-në me teknikun do të jetë e vlefshme deri në fund të vitit 2026. Alban Bushi, i cili drejton Kombëtaren U-21 që prej vitit 2016, ka udhëhequr ekipin në disa edicione kualifikuese për Kampionatet Europiane.
Bushi mbylli kualifikueset e Euro 2025, finalet e të cilit do të bëhen në Sllovaki, në vendin e katërt me 16 pikë. Kuqezinjtë ishin në grup me Rumaninë, Finlandën dhe Zvicrën që u renditën para kuqezinjve, ndërsa la pas vetëm Malin e Zi dhe Armeninë. Mungesa e arritjes së objektivit nuk ka qenë penalizues për rinovimin e kontratës së teknikut.
Ai dhe stafi i tij do të vijojnë përgatitjet për ndeshjet e ardhshme kualifikuese, me qëllim arritjen e rezultateve sa më pozitive. Kombëtarja U-21 vazhdon të shërbejë si një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin e talenteve të rinj dhe për përgatitjen e tyre për ekipin e parë Kombëtar. Rinovimi i kontratës me trajnerin Alban Bushi synon të sigurojë vazhdimësinë e këtij procesi.
✍ Federata e Futbollit bën me dije se Alban Bushi do të jetë trajner i Kombëtares U-21 deri në fund të vitit 2026, pas arritjes së marrëveshjes dhe nënshkrimit të kontratës së re.
ℹ️ Më tepër, në . pic.twitter.com/Zqu6fdqYmD
— FSHF (@FSHForg) January 10, 2025