Nuk ka qenë një javë e lehtë për Bayern Munich në Champions. Bavarezët kanë lënë shumë pikëpyetje në këtë fazë të parë të kompeticionit europian. Të mundur thellësisht në Montjuic, në njërën nga ndeshjet më të mira të sezonit për Barcelonën (4-1), skuadra e Vincent Kompany gjithashtu doli e turpëruar në vizitën e saj në Rotterdam.
Feyenoordi i mposhti me një rezultat të thellë 3-0, duke i lënë në pozitën e 15-të, në prag të një jave të fundit ku do të përballen me ekipin e dobët Slovan Bratislava, që, së bashku me Young Boys, nuk ka arritur ende të grumbullojë asnjë pikë në këtë edicion të Champions-it. Nuk varen nga vetja, por një fitore me rezultat të thellë ndaj skuadrës sllovake mund t’i kualifikojë në top-8 dhe t’i shpëtojë raundit të 1/16-ave, që aktualisht janë të detyruar ta luajnë.
Pas humbjes në tokën holandeze, një nga zërat më të rëndësishëm të ekipit, Joshua Kimmich, nuk nguroi të “shpërthente” dhe të kritikonte ecurinë e dobët që ka skuadra e tij këtë sezon në Kupën e Evropës, me një bilanc prej 12 pikësh të mbledhura nga katër fitore dhe tri humbje. Deklaratat e tij u transmetuan nga “Sport 1”, ku gjermani nuk mundi ta fshehë zhgënjimin e tij.
Fjalët kritike të Kimmich
“Nëse shikon renditjen, deri më sot ne nuk jemi një ekip elitar në Evropë. Kemi humbur në tri nga shtatë ndeshje. Kushdo që mendon se jemi një ekip i nivelit të lartë, qartazi nuk di të lexojë tabelën,” tha i irrituar.
Pa kohë për të vajtuar, Bayerni duhet të reagojë dhe të mos humbasë terren në Bundesligë, kompeticion që kryesojnë me 45 pikë, katër më shumë se Bayer Leverkusen. Sot, në orën 15:30, vizitojnë Freiburgun, që mban vendin e tetë dhe po lufton për të hyrë në pozitat europiane.