Në bashkëpunim me UNOPS, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nisur fazën teknike të digjitalizimit të plotë të hartave kadastrale fizike, planshetave, në kuadër të projektit #EU4PropertyRights, financuar nga Bashkimi Europian.
Ky proces shënon një nga hapat më të rëndësishëm në krijimin e kadastrës digjitale, duke plotësuar kalimin nga dokumentacioni fizik në një sistem të integruar digjital të menaxhimit të të dhënave mbi pasuritë e paluajtshme.
Digjitalizimi kryhet nëpërmjet një metodologjie të strukturuar teknike, e cila kalon nëpër pesë faza të njëpasnjëshme:
Inventarizimi — katalogimi i hartave fizike ekzistuese dhe vlerësimi i gjendjes së tyre
Skanimi — kapja digjitale e çdo planshetë me cilësi të lartë
Gjeoreferimi — vendosja e koordinatave gjeografike të sakta mbi çdo hartë
Digjitalizimi — konvertimi i elementeve grafike në të dhëna vektoriale të përdorshme
Ngarkimi në sistem — integrimi i të dhënave në sistem
Qëllimi përfundimtar është ruajtja, standardizimi dhe administrimi afatgjatë i dokumentacionit kadastral, në përputhje me standardet bashkëkohore europiane.
Gjatë procesit të digjitalizimit, në zonat kadastrale përkatëse do të pezullohen përkohësisht — për një periudhë 21-ditore — shërbimet që kërkojnë ndërhyrje direkte në hartën fizike.Kjo masë është e domosdoshme për të garantuar integritetin e procesit të inventarizimit dhe saktësinë e dokumentacionit kadastral gjatë fazës së konvertimit.
Në vijim do të publikojmë për qytetarët informacion të detajuar mbi zonat kadastrale që do të përfshihen në procesin e digjitalizimit dhe afatet përkatëse.
Në përfundim të procesit, harta kadastrale digjitale do të marrë statusin e dokumentit zyrtar teknik — mbi bazën e të cilit do të ofrohen të gjitha shërbimet kadastrale dhe do të administrohen të dhënat mbi pasuritë e paluajtshme në të gjithë vendin.
Ky ndryshim shënon një moment kthese në mënyrën si shteti shqiptar administron dhe garanton të drejtën e pronës.
Digjitalizimi i hartave kadastrale kryhet në kuadër të projektit #EU4PropertyRights, I cili financohet nga Bashkimi Europian dhe zbatohet nga UNOPS, me synimin e forcimit të sigurisë juridike të pronës, rritjes së transparencës institucionale dhe modernizimit të plotë të infrastrukturës kadastrale shqiptare