Nis faza e dytë e Superiores: Tirana i trembet Laçit, Partizani viziton Shkodrën

Faza e dytë e kampionatit të Superiores nis sot, me përballjet e javës së 10-të që premtojnë emocione të shumta. Dy ndeshje do të zhvillohen sot: në orën 14:00 Bylis do të kërkojë t’i japë fund serisë së pesë humbjeve radhazi, duke pritur Teutën në shtëpi. Nga ana tjetër, Teuta synon të vazhdojë formën pozitive që ka treguar në ndeshjet e fundit. Një nga sfidat më interesante të javës pritet të jetë mes Egnatias dhe Dinamo City-t, që do të zhvillohet në stadiumin “Egnatia Arena”. Të dyja skuadrat janë në kërkim të pikëve të plota dhe një përballje plot spektakël është e sigurt. Partizani, ndërkohë, e mbyll javën me vizitën në Shkodër.

E SHTUNA KULMON NË LORO BORIÇI
Të shtunën, tre ndeshje të tjera do të kompletojnë javën. Në orën 17:00, AF Elbasani përballet me Skënderbeun në shtëpi. Pas dy barazimeve radhazi, AF Elbasani synon rikthimin te fitorja, ndërsa Skënderbeu do të kërkojë të ruajë ritmin pas triumfit të fundit ndaj Bylisit.

Në sfidën tjetër, Tirana dhe Laçi do të përballen në stadiumin “Skënderbeu” në Korçë, ku të dyja ekipet janë të vendosura për të marrë maksimumin e pikëve nga kjo sfidë.

Java e 10-të e “Abissnet Superiore” do të mbyllet me takimin Vllaznia – Partizani në “Loro Boriçi”, në orën 19:30. Partizani, që kryeson renditjen pas përfundimit të fazës së parë, do të kërkojë të konsolidojë vendin e parë me një tjetër rezultat pozitiv, ndërsa Vllaznia kërkon një reagim pas humbjes në javën e fundit me Laçin.

1. Bylis – Teuta
Pas një serie negative me pesë humbje radhazi, Bylisi ndodhet në pozitat e fundit të renditjes dhe ka nevojë urgjente për një fitore për të përmirësuar situatën. Kjo ndeshje është një mundësi e mirë për ta, pasi do të luhet në shtëpi, ku ata mund të marrin mbështetje nga tifozët e tyre.

Teuta, në anën tjetër, është në formë të mirë pas disa rezultateve pozitive që i kanë ngritur në pjesën e mesme të renditjes. Ata do të synojnë të vazhdojnë këtë ecuri për të qëndruar larg zonës së rrezikut dhe për të forcuar pozitat e tyre në kampionat. Një fitore në këtë ndeshje mund të ndihmojë Teutën të ngjitet më lart në tabelë.

2. Egnatia – Dinamo City
Egnatia ka treguar një performancë me luhatje e megjithatë në renditje kërkon të rikthehet në krye, duke patur vetëm një diferencë të vogël pikësh nga vendi i parë. Një fitore në këtë përballje do t’i jepte atyre një shtysë të rëndësishme për të luftuar për vendet e larta dhe për të mbajtur ritmin me rivalët.

Dinamo City, gjithashtu, po synon një pozicion më të lartë dhe ka një ekip të fortë që është në gjendje të sfidojë çdo skuadër. Kjo përballje do të jetë e rëndësishme për ta, pasi me një fitore, mund të afrohen më shumë me kreun e tabelës dhe të konsolidojnë pozicionet e tyre në pjesën e sipërme të renditjes.

3. AF Elbasani – Skënderbeu
AF Elbasani, pas dy barazimeve të njëpasnjëshme, kërkon të kthehet te fitorja për të mbajtur fort zonën e Final Four. Skuadra e Bordin ka nevojë për pikë për të mbajtur larg pretendentët e tjerë dhe do të kërkojnë fitoren në këtë ndeshje në shtëpi. Një fitore do të ishte një shtysë e rëndësishme për të zhytyr edhe më shumë bardhekuqtë.

Skënderbeu, ndërkohë, ndodhet në një pozicion delikat pavarësisht fitores ndaj Bylis në javën e kaluar, që i ka dhënë një frymëmarrje të rëndësishme. Ata do të synojnë ta vazhdojnë këtë ecuri pozitive për të qëndruar larg zonës së rënies dhe për të mbetur konkurrues në mesin e tabelës.

4. Tirana – Laçi
Tirana po kalon një periudhë të vështirë, në të cilën synon të qëndrojë sa më pranë zonës Final Four. Pas një ecurie të përzierë në javët e fundit, një fitore ndaj Laçit do t’i mbante afër vendit të parë dhe do t’i motivonte për fazën e ardhshme të kampionatit. Ndeshja që do të luhet në Korçë nuk është se e ndihmon shumë për faktorin fushë.

Laçi gjithashtu ndodhet në zonën e poshtme të tabelës, por pas fitores së parë në një fazë kampionati, bardhezinjtë synojnë të ndryshojnë situatën, duke kërkuar vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Një fitore ndaj Tiranës, që është katër pikë para tyre në renditje, do të ishte një hap i madh drejt objektivave të tyre për shpëtim.

5. Vllaznia – Partizani
Kjo është ndeshja kryesore e javës, me Partizanin që kryeson renditjen pas javës së 9-të dhe që synon të vazhdojë dominimin në krye. Partizani do të kërkojë të ruajë distancën nga ndjekësit, dhe një fitore do t’i siguronte pozitat në krye për një periudhë më të gjatë.

Vllaznia, që vjen pas një humbjeje zhgënjyese ndaj Laçit, do të kërkojë të rikthehet te fitorja në shtëpi dhe të përmirësojë pozitat e saj. Ky takim do të jetë vendimtar për Vllazninë, jo vetëm për pikët, por edhe për moralin e skuadrës në vazhdim të sezonit.

Superiore – Java 10
E premte, 25 tetor
Bylisi-Teuta 14:00

Egnatia-Dinamo City 14:00

E shtunë, 26 tetor
AF Elbasani-Skënderbeu 17:00

Tirana-Laçi 17:00

Vllaznia-Partizani 19:30

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top