Aktori i njohur Nicolas Cage ka deklaruar se disa prej regjisorëve më të mëdhenj të Hollywood-it, përfshirë Christopher Nolan, nuk kanë më dëshirë të bashkëpunojnë me të pasi ai ka refuzuar më parë projekte të tyre.
Në një intervistë për “New York Times”, 62-vjeçari tha se situata të tilla kanë ndodhur disa herë gjatë karrierës së tij, duke shtuar se disa regjisorë “e marrin personale” kur ai thotë jo për një film.
Cage pretendoi se Nolan nuk i është përgjigjur më thirrjeve të tij pasi ai refuzoi rolin në filmin “Insomnia” (2002), një thriller psikologjik me protagonistë Al Pacino dhe Robin Williams.
“Shumica e tyre ofendohen dhe nuk të kontaktojnë më. Kjo më ka ndodhur shumë herë,” u shpreh aktori.
Ai shtoi se, përveç Nolan, edhe regjisorë të tjerë të njohur si Paul Thomas Anderson dhe Woody Allen nuk kanë bashkëpunuar më me të pas refuzimeve të mëparshme.
Megjithatë, Cage bëri përjashtim për regjisorin David O. Russell, duke e vlerësuar për faktin se i ka ofruar mundësi të reja bashkëpunimi edhe pas një refuzimi të mëparshëm. Aktori nuk tregoi se për cilin projekt bëhej fjalë, por tha se ishte “shumë kohë më parë” dhe se e respekton shumë punën e Russell.
Deklaratat e tij kanë ngjallur diskutime në Hollywood, ndërsa Nolan vazhdon të jetë një nga regjisorët më të kërkuar dhe me kastet më të mëdha në industrinë e filmit.