Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në vazhdimin e seancës për formimin e legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e parakohshme të mbajtura më 9 shkurt. Seanca e sotme shënon përpjekjen e 23-të për të konstituuar institucionin më të lartë ligjvënës të vendit.
Procesi ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së votave të pamjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje, që doli forcë e parë nga zgjedhjet dhe është në koalicion me Guxo dhe Alternativën, nuk po arrin të sigurojë shumicën absolute prej 61 votash për të emëruar Albulena Haxhiun në postin e kryeparlamentares.
Gjithashtu Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndryshim të kandidaturës së propozuar, ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës ka shfaqur kundërshtime të vazhdueshme ndaj çdo propozimi që vjen nga Vetëvendosje.
Ndërsa AAK ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me ligjshmërinë e votimit të fshehtë për postin e kryetarit të Kuvendit. Ndërkohë në përgjigje Gjykata Kushtetuese kanë thënë se kërkesa në fjalë është aktualisht në shqyrtim.
“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Për vendimmarrjen e Gjykatës do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.
Më 15 maj, në përpjekje për të kapërcyer bllokadën, presidentja Vjosa Osmani thirri në takim liderët e partive politike, por as ky dialog nuk prodhoi rezultat konkret. Thirrje për zgjidhje të situatës kanë ardhur edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili ka shprehur shqetësim për vonesat në formimin e institucioneve.
Në seancat e kaluara është pamundësuar krijimi i një komisioni për zhvillimin e votimit të fshehtë, për shkak të mungesës së kuorumit. Propozimet e përsëritura të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për ta zhvilluar votimin në mënyrë të fshehtë, nuk kanë gjetur mbështetje mes grupeve parlamentare.