Ngërçi në formimin e qeverisë! Osmani pritet të takohet me liderët partiakë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet të takohet me liderët partiakë paraditen e së enjtes për të diskutuar datën e zgjedhjeve të reja, sipas raportimeve të mediave lokale në Kosovë. Radio Evropa e Lirë (REL) ka kërkuar një konfirmim prej Zyrës së Presidencës nëse do të mbahet takimi, por nuk ka marrë përgjigje.

Raportimet për këtë takim vijnë pasi nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca, nuk ka arritur t’i sigurojë votat e nevojshme për të formuar Qeverinë e re më 19 nëntor. Njëjtë sikurse Konjufca, as lideri i LVV-së, Albin Kurti, nuk pati arritur ta formojë Qeverinë e re më 26 tetor.

Për pasojë, Kosova vazhdon të jetë me Qeveri në detyrë prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Partitë më të mëdha politike shqiptare nuk kanë arritur konsensus për një mori çështjesh prej mbajtjes së procesit zgjedhor dhe për pasojë proceset janë zvarritur deri më tani.

Sipas Kushtetutës, nëse Qeverinë nuk arrin ta formojë as mandatari i dytë, presidentja Osmani duhet t’i shpallë zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e shpalljes. Zyra e Presidencës nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për kohën e mundshme të shpalljes së zgjedhjeve.

Deri më tani, si datë e mundshme është përmendur 28 dhjetori, edhe për shkak të pranisë së madhe të diasporës në Kosovë. Por, për njohësit e çështjeve politike, kjo datë është shume e vonshme, pasi ka rrezik që procesin zgjedhor të mos e monitorojë faktori ndërkombëtar, meqë një pjesë e botës është në kohë festash atëherë./REL

“Nuset e Vilës Blu” – Roman nga Flamur Buçpapaj

Romani i ri i autorit Flamur Buçpapaj, botuar nga Nacional, sjell një udhëtim mes dashurisë, dhimbjes dhe kujtesës – aty ku e kaluara dhe e tashmja takohen në një vilë blu plot sekrete. Gjej librin në libraritë kryesore dhe mëso pse “Vila Blu” nuk është thjesht një vend… por një simbol i shpirtit shqiptar. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top