Protesta kundër qeverisë ka vijuar edhe këtë të shtunë në Tiranë, me qytetarët që u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan më pas drejt Kryeministrisë. Në ditën e 119-të të mobilizimit, krahas kërkesës për dorëheqjen e Edi Ramës, janë shtuar edhe thirrjet që drejtësia të hetojë zyrtarët e lartë. Protestuesit kanë ngritur akuza për korrupsion dhe afera, duke iu referuar ditët e fundit edhe çështjes së ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Protesta vjen pas një jave me mobilizime edhe para Parlamentit, ku pati tensione mes qytetarëve dhe policisë. “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Ju erdhi fundi” vijojnë të jenë ndër thirrjet kryesore, ndërsa protestuesit deklarojnë se tubimet do të vazhdojnë.