Nga miliarder në TRILIONER: Basti i çmendur i Elon Musk

Elon Musk mund të bëhet trilioneri i parë në botë, nëse arrin objektivat e vendosura nga Tesla, sipas një skeme të zbuluar nga kompania e makinave elektrike që ai drejton dhe ku është aksionari më i madh.

Në një përditësim për tregun e aksioneve, Tesla shpjegon kushtet e këtij paketi stimujsh, duke nisur seksionin me fjalinë: “Po, e lexuat saktë.” 

Sipas planit, Musk duhet të rrisë vlerën e kompanisë nga pak mbi 1 trilion dollarë sot në 8.5 trilion dollarë brenda 10 viteve.

Nëse kjo ndodh, 54-vjeçari do të marrë aksione të reja që do ta çojnë pjesëmarrjen e tij nga rreth 16% në mbi 25%, duke i rritur pasurinë e tij në mbi 2 trilion dollarë.

Sipas Forbes, pasuria aktuale e Musk vlerësohet rreth 430.9 miliardë dollarë, duke e bërë atë njeriun më të pasur në botë. Pas tij renditet bashkëthemeluesi i Oracle, Larry Ellison, me 272.3 miliardë dollarë.

Plani i ri u bë publik në një dokument të dorëzuar në Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC). Dokumenti i referohej gjithashtu një marrëveshjeje page të vitit 2018, e miratuar nga aksionerët, që i dha Musk mundësinë të fitonte një bonus prej 55.8 miliardë dollarësh. 

Tesla tha se skema e re synon të ndërtojë mbi suksesin e asaj të vitit 2018, duke u siguruar që Musk të paguhet vetëm për performancë reale dhe të nxitet të udhëheqë kompaninë në një periudhë të rritjes së jashtëzakonshme.

Por këtë herë, shifrat janë 28 herë më të larta se në vitin 2018. Përveç rritjes së fitimeve, objektivat lidhen edhe me produkte të reja, si nxjerrja në qarkullim e 1 milion “robotaksi”-ve dhe 1 milion robotëve humanoidë me inteligjencë artificiale që Tesla po zhvillon.

Në mbrojtje të marrëveshjes, Tesla tha:

“Nëse Elon arrin të gjitha objektivat e performancës, lidershipi i tij do ta shtynte Teslën të bëhet kompania më e vlefshme në histori.” 

Për krahasim, një vlerë tregu prej 8.5 trilion dollarësh është më shumë se dyfishi i vlerës aktuale të Nvidia, kompanisë së çipave që sot mban titullin e kompanisë më të vlefshme në botë.

Donika, vajza me violinë

Romani i ri i shkrimtarit Flamur Buçpapaj. Një histori e fuqishme e mbushur me muzikë, dashuri dhe qëndresë. Për porosi ose kontakt: 067 533 2700
Scroll to Top