Bayern Munich e fitoi bindshëm derbin e Champions League kundër Bayer Leverkusen. Dygolëshi i Kane dhe goli i Musiala vulosën fitoren 3-0 për skuadrën e teknikut Kompany, e cila tashmë në çerekfinale do të përballet me Inter, që mundi 2-0 në transfertë Feyenoordin. Megjithatë, vëmendjen në një moment e mori portieri i tretë i Bayernit, Sven Ulreich, i cili u bë lajm për një veprim të pazakontë kur u dëmtua Manuel Neuer: kaloi nga tribuna në pankinë gjatë ndeshjes.
Bayern fiton derbin me Bayer Leverkusen
Sven Ulreich është portieri i tretë i Bayernit dhe historikisht ka pasur pak hapësira për të luajtur. Problemet e Peretz-it bënë që klubi të blinte të riun Jonas Urbig. Ulreich mbeti si zgjedhja e tretë dhe u grumbullua nga Kompany, por nuk u ul në pankinë me shokët e skuadrës. Arsyeja mbeti e paqartë. Ai u vendos në tribunë, ku u fotografua nga shumë persona. I veshur me rroba civile dhe një kapelë, ai ndoqi ndeshjen si tifoz, ndërsa shokët e tij e mbyllën shpejt çështjen e fitores. Kane shënoi në pjesën e parë, ndërsa Musiala përfitoi nga një gabim i Kolar.
Ulreich në tribunë, Neuer dëmtohet dhe Urbig hyn në lojë
Në minutën e 58-të, Manuel Neuer, që pavarësisht moshës 38-vjeçare mbetet i paprekshëm dhe ka rinovuar kontratën edhe për një vit, u detyrua të dorëzohej. Një dëmtim muskulor e detyroi të linte fushën, duke i hapur rrugë të riut Urbig, i cili debutoi në Champions League. Një emocion i madh, por edhe një përgjegjësi e rëndësishme. Urbig mbajti portën të paprekur dhe festoi fitoren 3-0.
Portieri i tretë zbret në pankinë
Ulreich, sapo pa që Neuer u dëmtua, e kuptoi se mund të nevojitej nga Kompany, ndaj la tribunën, zbriti me shpejtësi në dhomat e zhveshjes, u ndërrua dhe u ul në pankinë, aty ku duhet të ishte që në fillim të ndeshjes. Ai nuk u aktivizua, ndërsa Urbig e vazhdoi lojën, por fakti që një portier ndryshoi pozicionin e tij nga tribuna në pankinë gjatë një ndeshjeje të Champions League mbetet një rast krejtësisht i pazakontë.