Këtë të hënë priten kushte të paqëndrueshme atmosferike në territorin e vendit. Reshje të dobëta shiu do të përfshijnë qarqet Kukës, Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Në qarqet e tjera reshjet do të jenë të pakta deri lokalisht të dobëta. Në zonat e veriut, lindjes dhe juglindjes, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore.
Në zonat bregdetare, temperaturat minimale dhe maksimale do të luhaten nga 0 deri në 5 gradë Celsius. Në zonat e ulëta pritet që temperaturat të zbresin deri në -3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 5 gradë. Në zonat malore, temperaturat do të jenë më të ulëta. Ato kapin vlera minimale deri në -10 gradë dhe maksimale rreth -1 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare në pjesën më të madhe të vendit.