“Ndjesat nuk ekzistojnë” – Babai i Ilaria Sulës refuzon letrën e vrasësit të së bijës

Babai i Ilaria Sulës, vajza 22-vjeçare shqiptare e vrarë me thikë në Romë nga ish-i dashuri i saj Mark Antony Samson, ka reaguar me indinjatë pas lajmit se 23-vjeçari ka dërguar një letër ndjese për familjen.

“Nuk ka ndjesa, ato nuk ekzistojnë, dhe ajo që ka shkruar nuk më intereson. Ka humbur kohë,” deklaroi Flamur Sula, babai i viktimës, duke e bërë të qartë se letra nuk është as e pranueshme dhe as e mirëpritur në këtë moment.

“Ndjesat? Jo tani, ndoshta pas 30 apo 40 vitesh. Letra nuk prisnim në këtë moment – ndoshta pas 30 ose 40 vitesh, por jo tani. Thotë se është duke qarë, por ne kemi 20 ditë që po qajmë për vajzën tonë. Ilaria nuk e meritonte këtë fund. Ajo ishte e mrekullueshme dhe është e pamundur të harrohet. Nuk po e përballon dot as qyteti i Ternit, e as Italia. Ndjesat nuk ekzistojnë. Ka qenë një tradhti. Nëse e do një person, nuk e vret, e pastaj thua që e do.”

Samson, i arrestuar për vrasje dhe fshehje të kufomës së Ilarias, thuhet se i ka dërguar familjes një letër të shkruar nga burgu, në përpjekje për të kërkuar falje. Por për prindërit e vajzës, një gjest i tillë është jo vetëm i vonuar, por edhe i papranueshëm.

“Nuk do të kishte shkuar kurrë me dëshirë në shtëpinë e ish-it”

Babai i Ilarias shpreh bindjen se vajza nuk ka shkuar vetë në shtëpinë e Samson ditën e vrasjes: “Ilaria nuk shkonte atje as kur ishin mirë me njëri-tjetrin, e do të shkonte tani që ishin ndarë? Është absurde.”

Ai thekson se vajza kishte shumë ëndrra dhe një karakter të fortë:

“Kush ishte Ilaria? Mjafton të shohësh përreth, të dëgjosh çfarë thonë njerëzit. Kishte shumë ëndrra… donte të bëhej pjesë e Guardia di Finanza. Më thoshte: ‘Keni një vajzë të mrekullueshme dhe duhet të jeni krenarë për të.’ Po përgatitej për të marrë diplomën në tetor.”

Në një moment të ndjeshëm rrëfimi, babai i Ilarias kujton bisedën që pati me Mark Samson në komisariat, përpara se ai të arrestohej:

“Aty në komisariat, i thashë Markut, atij vrasësi: ‘A ke lidhje me zhdukjen e Ilarias?’ Dhe ai më tha: ‘Unë e dua Ilarian… Nuk do t’i bëja kurrë keq.’ Por e kishte bërë.”

Nëna e Ilarias: “Ajo nuk është një nënë”

Nëna e Ilarias, Gezime, ka reaguar me ashpërsi ndaj veprimeve të nënës së Mark Samson, e cila dyshohet se e ka ndihmuar të birin në fshehjen e kufomës.

“Ajo nuk është një nënë, një nënë si ajo nuk duhet të ekzistojë. Një nënë nuk mund të ndihmojë birin e saj për të fshehur një kufomë, për të fshehur vajzën tonë. Nuk e kuptoj çfarë zemre ka…”

Mesazhet e fundit dhe dyshimet për manipulim

Prindërit kanë folur edhe për mesazhet e fundit të dërguara nga telefoni i vajzës, të cilat i kanë përjetuar me dyshim të thellë:

“Çfarë të mendoje? Që nuk ishte ajo, nuk ishte Ilaria. Sepse, nëse do ishte ajo, çfarëdo që të kishte ndodhur – e mirë apo e keqe – ajo do të na e thoshte. Do të na telefononte, nuk do të na dërgonte një mesazh apo një histori në Instagram. Ai (Samson) i njihte të gjitha kodet.”

Në përfundim, nëna e Ilarias thekson edhe një herë dhimbjen dhe krenarinë për vajzën e saj: “Ilaria ishte një vajzë e fortë që kishte shumë ëndrra.”

Romani “Doktoresha” për nga përshkrimi i Shqipërisë në diktaturë përngjan shumë me Afganistanin e Khaled Hosseinin, përmes veprës “Gjuetari i balonave”: Si Afganistani nën sundimin e talebanëve … Mund ta gjeni në te gjitha libraritë Për porosi kontaktoni në numrin: 067 53 32 700
Scroll to Top