Zgjedhjet presidenciale në SHBA janë veç një ditë larg. Sondazhe të shumta janë lëshuar ditëve të fundit, të gjitha duke theksuar se gara është e ngushtë dhe e paparashikueshme. Ndarja më e madhe, vlen të theksohet, është mes gjinive, përcjell Gazeta Metro.
Zakonisht në SHBA dihet se gratë votojnë më shumë për demokratët, ndërsa burrat për republikanët. Njëjtë po ndodh edhe në këto palë zgjedhje.
Sipas matjes së fundit nga NBC News, pra sondazhi përfundimtar para ditës së zgjedhjeve, të dy kandidatët marrin nga 49% të votave.
Kur jemi te shpërndarja e votës në baza gjinore, megjithatë, ekziston një ndarje e theksuar. Sipas NBC, 58% e burrave shprehen se do të votojnë për ish-presidentin Donald Trump, ndërsa vetëm 40% për zv/presidenten Kamala Harris.
Në anën tjetër, në mesin e grave ka tjetër tendencë votuese. Gjithnjë sipas NBC, 57% e grave në këto zgjedhje do të votojnë për Harris, ndërsa 41% për Trump.
Këta numra tregojnë shumë për ndarjen e madhe që ekziston mes burrave dhe grave në politikën amerikane, gjë që do ta vendosë garën në këto zgjedhje.
Sipas numrave të votuesve të hershëm në SHBA, që konsiderohet të jenë rreth 75 milionë, shumica janë gra. Burrat pritet të votojnë masivisht në ditën e zgjedhjeve, pra nesër. Varësisht se sa burra dalin në votime, mund të kuptohet se ku po shkon gara.
Përkundër sondazheve dhe matjeve të shumta, vota është tërësisht e paparashikueshme dhe të martën mund të ketë befasi. Sidoqoftë, gara pritet të jetë mjaft e ashpër dhe rezultati jashtëzakonisht i ngushtë.