Kelley Mack, aktorja e njohur për publikun nga serialet “The Walking Dead” dhe “Chicago Med”, ka ndërruar jetë të shtunën në qytetin e saj të lindjes, Cincinnati, Ohio.
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi prekës në Instagram nga motra e saj, Kathryn Klebenow:
“Me një dhimbje të pamasë njoftojmë ndarjen nga jeta të së dashurës sonë Kelley. Një dritë e ndritshme dhe plot pasion është larguar për në botën tjetër, aty ku të gjithë do të shkojmë një ditë.”
Sipas njoftimit, Kelley u nda nga jeta në mënyrë paqësore, e rrethuar nga nëna e saj, Kristen, dhe halla e saj, Karen.
“Kelley tashmë u është shfaqur të afërmve të saj në formën e fluturave të ndryshme. Do të na mungojë thellësisht – një dhimbje që fjalët nuk mund ta përshkruajnë,” thuhet në postim.
Mack, emri i plotë i së cilës ishte Kelley Lynne Klebenow, kishte nisur të ndjente dhimbje të vazhdueshme në pjesën e poshtme të shpinës që në tetor të vitit 2024.
Pas disa muajsh shqetësimesh, një rezonancë magnetike zbuloi një masë të pazakontë në palcën kurrizore. Diagnoza e saj në janar ishte glioma difuze midline, një tumor i rrallë dhe agresiv që prek trurin ose palcën kurrizore.
“Pas ndërhyrjes kirurgjikale për biopsinë, humba përdorimin e këmbës së djathtë dhe pjesërisht edhe të majtës, kështu që tashmë lëviz me ndihmën e një karroce” tregonte Mack në rrjetet sociale.
Ajo dokumentoi publikisht përpjekjet për rikuperim, përfshirë një video ku shfaqej duke mësuar të ecte sërish me ndihmën e terapistëve, më 26 mars.
“Jeta i ka uljet dhe ngritjet e saj, apo jo?”, shkruante ajo me humor në një nga postimet e fundit.
Kelley Mack nisi karrierën që në fëmijëri duke luajtur në reklama, ndërsa roli i saj i parë në film ishte në “The Elephant Garden”, i cili fitoi çmimin Student Visionary në Festivalin e Filmit Tribeca në vitin 2008.
Në serialin e famshëm “The Walking Dead”, Mack u shfaq në pesë episode si banorja e kolonisë Hilltop, “Addy”, në sezonin e nëntë.