Catherine O’Hara, aktorja e njohur për rolet e saj ikonike në filmat “Home Alone” dhe “Best in Show” ka ndërruar jetë. Lajmi u konfirmua për Variety nga menaxheri i saj. Ajo ishte 71 vjeçe.
Sipas agjencisë së saj CAA, O’Hara u nda nga jeta të premten në shtëpinë e saj në Los Angeles, pas një sëmundjeje të shkurtër.
Karriera e saj në Hollywood zgjati mbi pesë dekada dhe nisi me serialin kanadez të humorit “Second City Television” (SCTV), të cilin e krijoi së bashku me Eugene Levy. Pikërisht për këtë projekt, O’Hara fitoi Emmy-n e saj të parë dhe u nominua katër herë të tjera.
Më pas, ajo u shndërrua në një emër të dashur për publikun përmes roleve në filma si “After Hours”, “Beetlejuice” dhe dy filmat e parë “Home Alone”, ku interpretoi nënën e Kevin-it, personazhit të luajtur nga Macaulay Culkin.
O’Hara ruajti një miqësi të ngushtë me Culkin dhe e nderoi atë gjatë ceremonisë së yllit të tij në Walk of Fame në vitin 2023.
Në vitet e fundit, O’Hara u rikthye edhe një herë në ekran me vazhdimin e “Beetlejuice Beetlejuice”, ku risolli personazhin e Delia Deetz, si dhe filmin aksion të Apple “Argylle”.
Një nga momentet më kulmore të karrierës së saj erdhi në të 60-at, kur përjetoi një rilindje artistike me rolin e Moira Rose në serialin e suksesshëm “Schitt’s Creek”, përkrah Eugene Levy, Dan Levy dhe Annie Murphy.
Ky rol i solli Emmy-n e dytë, duke e hapur rrugën për role të reja në seriale si “The Last of Us” (HBO) dhe “The Studio” (Apple TV), ku interpretoi një ekzekutive të njohur të Hollywood-it të lënë mënjanë nga industria.
Në një intervistë për Variety në vitin 2025, O’Hara reflektoi mbi ndryshimet në Hollywood gjatë karrierës së saj:
“Industria sot duhet të jetë shumë më e tensionuar se më parë. Interneti dhe platformat streaming kanë hapur mundësi të mrekullueshme, por edhe të frikshme,” u shpreh ajo, duke shtuar se, pavarësisht kritikave, “shumica e njerëzve duan të bëjnë punë të mirë dhe të argëtojnë publikun”.