As koha për të mbërritur në Turqi dhe për t’i dhënë fund një telenovele që zgjati praktikisht një verë të tërë, sepse tashmë mbërrijnë zërat e parë për transferimin e ri të Victor Osimhen. Zëra që, nëse konfirmohen, padyshim janë sensacionale.
Sulmuesi nigerian, i cili mbërriti te Galatasaray në huazim në shtator, me shumë mundësi do të largohet nga Stambolli verën e ardhshme. Por ka nga ata që betohen se ai mund të paketojë valixhet që në janar. Destinacioni? Flitej për Premier League, por tashmë po përmendet me insistim një rikthim i menjëhershëm në Itali, madje te ‘armiqtë’ e Napolit, bardhezinjtë e Juventus.
NË NAPOLI FRIKËSOHEN: GIUNTOLI KËRKON OSIMHEN
Ka qenë gazetari Valter De Maggio, duke folur në programin Radio Goal të transmetuar në Radio Kiss Kiss, ai që hodhi një bombë që mund të përmbysë dinamikën e merkatos së Serie A. Duke analizuar situatën në shtëpinë e Napolit, gazetari, pasi foli për rëndësinë e teknikut Antonio Conte në ardhjen e disa nënshkrimeve të verës në kryeqendrën kampane, foli për një skenar të bujshëm në lidhje me Victor Osimhen.
Këto janë fjalët e tij: “Ka filluar të përflitet se Cristiano Giuntoli e dëshiron atë te Juventus që në janar”, tha ai, për të theksuar më pas: “Sipas mendimit tim, klauzola nuk vlen për Italinë”. De Maggio zbuloi gjithashtu një histori tjetër në lidhje me periudhën te Napoli të drejtorit aktual të Juventus: “Kur ai punonte për napolitanët, ai kishte zgjedhur tashmë Lukakun për të zëvendësuar Osimhen”.
Osimhen dhe Lukaku, dy emra që janë ndërthurur vazhdimisht në muajt e fundit. A ka vërtet një shans që nigeriani të zbarkojë në Torino? Për momentin janë vetëm “thashetheme napolitane”, por frika për një tjetër rast Higuain mban pezull qytetin…